Statusi,Malmstrom:Të kontribuojë gjithë politika
TIRANE- Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom ka kerkuar angazhim dhe kontributin e gjithe faktorit politik ne Parlament per miratimin e tre ligjeve te kerkuara nga KE per marrjen e statusit te vendit kandidat.
Ne takimin e sotem me kreun e qeverise, Malmstrom pohoi se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë identifikuar dhe vlerësuar nga Bashkimi Europian dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë, duke rekomanduar edhe statusin e vendit kandidat, pas miratimit të tre akteve ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament.
“Në këtë kontekst, komisionerja Malstrom vlerësoi se për miratimin e ligjeve të lidhura me integrimin, përfshi edhe tre ligjet e kërkuara në raportin e Komisionit Europian, duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament, pasi miratimi i tyre nuk i shërben vetëm qeverisë, por qytetarëve shqiptarë dhe projektit të tyre të integrimit në Bashkimin Europian”- thuhet ne njoftimin e kryeministrise.
Nga ana e tij, Berisha e njohu me përpjekjet, reformat e mëdha dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit, korrupsionit, në dixhitalizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës, në arritjet e rëndësishme përsa i përket shtetit ligjor, por edhe në fushën ekonomike, ku Shqipëria është një ndër vendet e pakta që nuk hyri në recesion.
“Berisha siguroi gjithashtu, se qeveria do të bëjë gjithçka për një proces të zgjedhor të lirë e të ndershëm, duke shprehur besimin se me Kodin Elektoral konsensual, i cili ka trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe me vullnetin e fortë të të gjithë forcave politike procesi i ardhshëm zgjedhor do të plotësojë të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka kërkuar dërgimin e një numri sa më të madh të vëzhguesve të zgjedhjeve”- thuhet me tej ne njoftim.