“Statutet e Shkodrës”, si u zbuluan pas 7 shekujsh
“Të gjetura në origjinal pas 7 shekujsh, ‘Statutet e Shkodrës’ erdhën së fundmi në dritë nga një botim i kujdesshëm kritik, i mundësuar nga një seri studimesh, që nxjerrin në pah karakterin thelbësor dhe pozicionin e rëndësishëm të ngjarjeve shqiptare dhe adriatike të shek. XIV-XV". Me këtë paragraf nis një ndër botimet më të rëndësishme të kohëve të fundit "Statutet e Shkodrës", i cili u promovua dje në mjediset e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku ishin të pranishëm studiues dhe historianë të huaj dhe shqiptarë. Këto statute u zbuluan në Bibliotekën e Muzeut Correr, në Venecia, nga studiuesja Luçia Nadin dhe historiani Oliver Jens Shmid. Libri “Statutet e Shkodrës” me autore profesoren e nderuar të Universitetit të Venecias, Luçia Nadin, është botuar për herë të parë në Itali në vitin 2002, nga Shtëpia Botuese “Viella”, në bashkëpunim me Departamentin e Studimeve Historike të Universitetit të Venecias dhe me kontributin financiar të Krahinës së Veneto-s dhe të Ministrisë Italiane për Universitetet. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, theksoi ndër të tjera se “Libri që i vjen sot (dje) lexuesit, dhe auditorëve të universiteteve dhe Akademisë së Shkencave përbën një dëshmi të nivelit bashkëkohor të zhvillimit të jetës qytetare të Shkodrës dhe të rrethinave të saj, në një plan me atë të qyteteve më në zë të Italisë dhe Europës së shekullit XIV. Në të analizohet jeta e Shqipërisë, e cila aso kohe ishte mjaft e ndikuar nga kultura veneciane, duke nxjerrë në pah në të njëjtën kohë atë lidhje e ndikim të ndërsjellë të dy brigjeve të Adriatikut, me rrënjë kristiane dhe europiane”. Ribotimi i “Statuteve të Shkodrës” në shqip dhe italisht është një nga dokumentet më të vjetër me natyre ligjore që u jep mundësinë studiuesve e historianëve të krijojnë një ide më të qartë të funksionimit të rregullit e ligjit në Shqipërinë e vitit 1400. Autorja Luçia Nadin sugjeron se këto dokumente të rrallë duhen parë më një rëndësi të veçantë. "Rëndësia e këtyre statuteve nuk është vetëm në aspektin ligjor e historik të së drejtës, por këto dëshmi janë interesante pasi tregojnë aspektin social dhe mënyrën sesi funksiononte jeta qytetare në Shqipërinë e Mesjetës" - tha autorja dhe studiuesja Luçia Nadin. Ky libër shoqërohet dhe me disa studime shpjeguese nga katër profesorë të huaj: Luçia Nadin, Oliver Jens Schmitt, Giovan Battista Pellegrini e Gherardo Ortalli. Sipas të dhënave që këta studiues japin për librin, statutet e Shkodrës janë hartuar dhe zbatuar që para ardhacakëve sllavë në Shkodër dhe i përkasin vitit 1346, kur Shkodra ishte nën regjimin e Stefan Dushanit. Këto statute u mbajtën në fuqi edhe pasi qyteti kaloi në kontrollin e Venecias, në vitin 1396. Në kopertinën e librit është stema e qytetit të Shkodrës. Statutet përmbajnë 268 krerë (nene) origjinale dhe 11 krerë (nene) shtesë. Të 268 krerët i përkasin dhjetëvjeçarëve të parë të treqindës, kurse 11 krerët janë shtesa të viteve 1392-1479. Libri i Statuteve është i përbërë nga rregulla praktikë për t'u zbatuar. Kapituj të tërë tregojnë për jetën civile në Shkodër. Normat relative të ndarjes dhe ndërtimit të shtëpive, pastrimit të rrugëve. Shumë interesantë janë kapitujt që tregojnë zyrat e Komunës, strukturën administrative dhe juridike të asaj kohe, duke filluar që nga ambasadorët, noterët, avokatët etj. Pjesa e fundit e statutit i është rezervuar të drejtës penale. Gjuha e përdorur në statute, sipas Giovan Batista Pelegrinit, është veneto-veneciane, por përmban edhe pak shprehje orientale. Ndërsa sipas studiueses Nadin, dorëshkrimi "Statuteve të Shkodrës" nuk datohet, por sipas llojit të shkrimit (grafikës) duket se i përket shek. XVI, një epoke pak para rënies së Shkodrës në duart e turqve. Më pas studiuesja Luçia Nadin i konsideron këto statute një dëshmi, një dokument që vërtetojnë edhe një herë ekzistencën e qyteteve shqiptare në kompleksin mesdhetar mes viteve 1300 dhe 1400, të botës qytetare të zonës ballkanike. Madje, sipas Luçia Nadin, gjetja e "Statuteve të Shkodrës" rihap një faqe shumë të rëndësishme, të harruar, të historisë së këtij vendi, i njohur vetëm si "vendi i shqiponjave".
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Paolo Foresti, u shpreh se ky libër duhet të ishte të paktën në të gjitha klasat e liceve në Shqipëri, sepse është një dëshmi e qytetërimit europian të Shqipërisë që në vitet 1400. Ambasadori theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit në Shqipëri. “Unë do të ftoja qytetarët shqiptarë të reflektojnë dhe vlerësojnë atë se çfarë ka më shumë rëndësi, drejtësia, qetësia, apo dhuna dhe demonstratat”