E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krauç bën Milanin të heshtë, Raul i jep barazimin Shalkes

SHKRUAN: Jeton Selimi 16-02-2011 11:32

Totenhemi ka bërë atë që pakkush besonte. Anglezët e drejtuar nga Herri Redknap marrin një fitore minimale, por që praktikisht do të thotë kualifikim për në çerekfinale. Kjo, pasi ndeshja e dytë do të luhet në “Ëhite Hart Lane” dhe londinezët do të kenë në dispozicion edhe Bejl e Modriç. Sfida në “San Siro” nis jo ashtu siç pritej. Në fakt, ata që dominojnë me lojë e me raste janë miqtë, që do të shpërdorojnë edhe ndonjë mundësi të pastër shënimi, sidomos me Krauç. Alegri ndjen që nuk është dita e Milanit kur Kristian Abiati lë fushën e lojës në minutën e 18-të për shkak dëmtimi. Totenhemi e dominon krejtësisht pjesën e parë, por nuk arrin ta konkretizojë supremacinë. Në fraksionin e dytë të lojës, Alegri zëvendëson Sedorf me Paton, duke spostuar Robinjon në rolin e holandezit. Është pikëtisht ky zëvendësim që do të ndezë kuqezinjtë, që nisin të presojnë fort në portën kundërshtare, madje duke krijuar edhe raste të mira për shënim, sidomos me Jepes, që në dy raste detyron portierin Gomesh të bëjë mrekullinë. Sfida tensionohet kur Flamini ndërhyn brutalisht ndaj Korlukës. Ky i fundit largohet me barrelë dhe lojtarët nuk ia kursejnë shkelmat njëri-tjetrit. Megjithatë, “San Siro” pret golin e Milanit, një gol që duket se po vonon. E në fakt, rezultati do të ndryshojë vetëm në minutën e 80-të, por në favor të londinezëve. Lenon do të shfrytëzojë më së miri një kundërsulm perfekt dhe do të shërbejë saktë në qendër për Krauç, që me Amelian e mposhtur, nuk e ka të vështirë ta çojë topin në rrjetë. Kuqezinjtë kërkojnë me dëshpërimin golin e barazimit dhe duket se arrijnë ta gjejnë pas rrofeshatës në zonë të Ibrahimoviç, por suedezi më parë kishte shkaktuar një faull. Përfundimisht 0-1 për Totenhemin dhe anglezët janë me një këmbë në çerekfinale. Takim emocionues ka qenë edhe ai i Valencias, ku vendësit nuk kanë shkuar dot më larg se një barazim 1-1 me Shalken. Janë vendësit që do të shënojnë të parët me anë të Soldados, por gjermanët kanë në gjirin e tyre një armë vdekjeprurëse, mbretin e golave në Europë, Raul Gonzales Blanko, që do të barazojë shifrat në minutën e 64-ët. Gjithçka shtyhet për ndeshjen e dytë në Gjermani, por skuadra e Magat është lehtësisht e favorizuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›