Stefanoviç: Presim përgjigje nga Prishtina
Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviç ka thënë se pala serbe pret përgjigje nga Prishtina, në lidhje me ofertën e tyre. Pala serbe kërkon që njësitë e policisë, të tërhiqen nga postblloqet që i kanë marrë mbrëmë, në mënyrë që serbët të zhbllokojnë rrugët.
Stefanvoiçi, së bashku me ministrin serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, kanë arritur mbrëmë në Kosovë, pas informacioneve për aksionin e policisë së Kosovës dhe pas grumbullimit të qindra serbëve në veri, të cilët përpiqeshin që pengonin njësitë speciale të policisë që të vendosen në portën 1, përkatësisht në pikën kufitare të Jarinjes.
“Komandanti i KFOR-it, aktualisht po konsultohet me kryeministrin Hashim Thaçi, sepse ai nuk ka përgjegjësi që të tërheqë njësitë speciale të Policisë së Kosovës”, ka thënë Stefanoviç.
Mediat serbe njoftojnë se Bogdanoviç dhe Stefanoviç gjatë natës janë takuar në Leposaviq me komandantin e KFOR-it, Erhard Byler, nga i cili kanë kërkuar kthimin e gjendjes së mëparshme, më konkretisht tërheqjen e forcave kosovare, në mënyrë që serbët të zhbllokojnë rrugët.