Stefanovic: Strukturat paralele s’janë temë diskutimi

Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanovic, ka bërë të ditur se shuarja e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës nuk do të jetë temë e vazhdimit të dialogut me Kosovën, për shkak se sipas tij, pala serbe nuk është e gatshme që të bisedojë lidhur me këtë çështje.
“Heqja e “institucioneve” serbe nuk është temë e dialogut dhe as nuk do të jetë. Temë e dialogut mund të jetë çështja e veriut të Kosovës. Ne këtë e kemi paralajmëruar edhe më herët dhe jemi të gatshëm të bisedojmë, po as kjo në këtë moment nuk është në rendin e ditës. Kur do të jetë, kjo do të jetë çështje e marrëveshjes”, ka thënë të shtunën Stefanovic për mediat serbe.
Sipas tij, “dialogu gjithmonë ka pasur dimensionin e statusit dhe se edhe më herët, por edhe tani është treguar se është shumë e dëmshme limitimi i tij në nivel teknik”.
“Ne kemi dialogun rreth çështjeve të jetesës dhe atyre praktike. Secila prej këtyre çështjeve në vete ka dimension të fuqishëm politik dhe të statusit”, është shprehur Stefanovic.
Ai konsideron se Serbia aktualisht nuk ndodhet në “mat-pozitë”, duke theksuar se edhe në të kaluarën nuk ka pasur ndonjë pozitë të lehtë.
Sipas tij, Serbia përmes dialogut fiton shumë, pasi që kjo është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve ekzistuese.
Duke rikujtuar se njëra nga temat e bisedimeve në rrethin e ri të dialogut Kosovë-Serbi, më 2 shtator në Bruksel, do të jenë vulat doganore, Stefanovic thotë se problemi do të zgjidhet në dobi të qarkullimit normal të mallrave nëpër “linjat administrative”, në mënyrën me të cilën nuk do të prejudikohet statusi.(KP)