Stefanoviç pret zgjidhje konkrete nga bisedimet me Prishtinën

Shefi i ekipit negociator serb me Kosovën, Borislav Stefanoviç pret që në takimin e radhës me ekipin negociues kosovar, që do të mbahen nga mesi i majit, dy palët më në fund të arrijnë deri te zgjidhjet e para konkrete për disa çështja që janë hapur gjatë takimeve të drejtpërdrejta.
Në një intervistë për gazetën Veçernje Novosti, Stefanoviç ka thënë se është në plan që në këtë takim të punohet në arritjen e kompromisit rreth disa çështjeve të hapura si librat kadastralë dhe lirisë së lëvizjes.
Stefanoviç ka thënë se në takimet e deritanishme nuk është bërë asnjë fjalë për pronën për të cilën Prishtina ka paralajmëruar se do ta kërkojë.
“Në takimet e mëparshme të dialogut do të iniciojmë çështjen e pronave të qytetarëve të Serbisë, të Kishës ortodokse serbe dhe ndërmarrjeve në territorin e Kosovës. Kjo është e vetmja pronë për të cilën mund të bisedojmë”, ka thënë Stefanoviç.
Ndërkohë shefi i delegacionit serb nuk ka dashur të komentojë deklaratën e shefes së ekipit kosovar Edita Tahiri, e cila deklaratën e Stefanoviçit se “Beogradi nuk përjashton negociata për asnjë temë, qoftë edhe për ndarjen e Kosovës”, e ka karakterizuar si provokim, të dëmshëm për stabilitetin e tërë rajonit.
“Nuk ka asnjë dobi nga polemizimet në media, me rëndësi është ajo që arrihet në tavolinën e bisedimeve”, ka thënë Stefanoviç.