Vrasja në Tiranë, policia: Dyshohet për hakmarrje

Policia e Tiranës po vijon hetimet për zbardhjen e vrasjes së 49-vjeçarit Sulejman Haxhiu mbrëmë në kryeqytet. Burime nga policia bëjnë me dije se nga hetimet e kryera deri më tani, dyshohet se vrasja është kryer për motive hakmarrje.
Sipas policisë janë kryer të gjitha veprimet proçeduriale dhe në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë sekuestruar gjashtë gëzhoja si dhe tre predha.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 21.30 të mbrëmjes së djeshme, në rrugën "Naim Frashëri" në Tiranë ku brenda ambjenteve të një lokali, është vrarë me armë zjarri shtetasi Sulejman Ramazan Haxhiu, 49 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Ndërkohë policia thekson se po punohet më tej në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.