Stiglitz sulmon Romney Nuk paguan taksat
Nobelisti i ekonomisë kritikon kandidatin republikan si të papërshtatshëm për President
Nobelisti i Ekonomisë, Joseph Stiglitz, kritikoi dje në një editorial të publikuar te gazeta britanike Guardian kandidatin republikan për President të SHBA-së, Mitt Romney. Sipas Stiglitz, shmangia e pagimit të taksave që bën Romney dobëson shoqërinë amerikane.
Nëse politikanët dhe ata që janë pranë tyre nuk i paguajnë taksat, si mund të shpresojmë që të tjerët do ta bëjnë?, pyet Stiglitz që në hyrje.
Deklarata e taksave të paguara nga Romney, i cili është një biznesmen i pasur, është bërë një çështje e madhe debati në fushatën elektorale. Disa thonë se ky është një sulm nën bel i demokratëve, por për Stiglitz, është një shqetësim real.
Një temë e madhe në debatin politik në SHBA është roli i shtetit dhe nevoja për veprim shoqëror. Sektori privat, ndonëse thelbësor në një ekonomi moderne, nuk garanton dot sukses më vete. Për shembull, kriza e vitit 2008 tregoi nevojën për mbikëqyrje, thotë Stiglitz.
Sipas tij, politikanët konservatorë e nënvlerësojnë rolin e shoqërisë në arsim, teknologji e infrastrukturë dhe se në vendet ku qeveria siguron këto të mira publike, ekonomia ecën më shpejt.
Stiglitz thotë se të pasurit në SHBA po përdorin parajsat fiskale për të shmangur pagesën e taksave dhe nuk po paguajnë atë që i detyrohen shoqërisë për suksesin e tyre ekonomik dhe Romney është rasti i peshkut që qelbet nga koka.
Nëse askush nuk paguan taksa, kush do të paguajë për të mirat publike?, thotë Stiglitz.
Romney po debaton ashpër me demokratët mbi çështjet e taksave, duke i qëndruar pozicionit klasik të konservatorëve se taksat e ulëta dhe qeveria e vogël është gjithmonë më mirë sesa taksat e larta. Stiglitz thotë se në fakt, ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është që të pasurit po arrijnë të përdorin pasuritë e tyre ekzistuese për të gllabëruar një pjesë më të madhe të ekonomisë pa krijuar rritje ekonomike dhe se kjo gjë po e çon shoqërinë amerikane drejt shkatërrimit.
Romney mund të mos jetë evazor fiskal; vetëm një hetim nga Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së mund të dalë në një konkluzion të tillë. Por duke parë se norma e taksës për të ardhurat e larta në SHBA është 35 për qind, ai me siguri është një nga ata që shmangin pagesën e taksave në shkallë të gjerë. Problemi natyrisht nuk qëndron vetëm te Romney. Në tërësi, niveli i shmangies së taksave prej tij dhe të tjerë si ai e bëjnë të vështirë financimin e shërbimeve publike, gjë që e bën të pamundur lulëzimin e një ekonomie moderne, thotë Stiglitz.
Ajo që është më e rëndësishme, shmangia e taksave në shkallën që e bën Romney shkatërron besimin te drejtësia e sistemit dhe rrjedhimisht, dobëson lidhjet që e mbajnë shoqërinë të bashkuar, përfundon ai.
SHBA
Gara presidenciale i afrohet kulmit me konventën e demokratëve
Obama shikon të ardhmen me fjalimin e kësaj jave
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, pritet të mbajë fjalimin vendimtar të fushatës së tij elektorale me të cilën kërkon të fitojë një mandat të dytë këtë javë, në një qytet të vogël në Karolinën e Veriut. Analistët janë duke pritur të mësojnë se çfarë do të ketë për tu thënë amerikanëve presidenti që katër vite më parë fitoi në mënyrë spektakolare përmes ideve të ndryshimit dhe shpresës.
Obama është përndjekur gjatë këtyre viteve nga ekonomia e dobët dhe papunësia e lartë, ndërsa gara me rivalin republikan, Mitt Romney, vlerësohet se është shumë e ngushtë. Këshilltarët e tij thonë se Obama do ti përdorë minutat e rëndësishme të fjalimit të vet para Konventës së Demokratëve për të folur për arsimin, uljen e taksave për amerikanët me më pak se 250 mijë dollarë të ardhura në vit, emigrimin dhe çështje shoqërore.
Ai pritet të flasë në mënyrë më specifike sesa Romney, i cili e mbajti fjalimin javën e kaluar në Florida. Romney bëri thirrje për më pak rregulla qeveritare dhe taksa të ulëta, por nuk dha detaje, pasi një pjesë e fjalimit iu kushtua nevojës për të pastruar figurën e vet si biznesmen i fuqishëm dhe pa lidhje me shtresën e mesme amerikane.
Fushata e Obamës është përqendruar në shkallë të gjerë te sulmimi i kundërshtarit, gjë që e ka detyruar këtë të fundit të vihet në pozicion mbrojtës.
Që nga Lufta e Dytë Botërore, asnjë president amerikan nuk ka arritur të rizgjidhet kur norma e papunësisë ka qenë më e lartë se 8 për qind dhe nëse triumfon, Obama do të jetë i pari në këtë rekord. Këshilltarët e tij i kanë sugjeruar tu thotë amerikanëve se ka ide më të mira për të dalë nga recesioni që filloi në kohën e republikanit Bush.
Skuadra e Obamës është angazhuar tashmë që të mbushë 74 mijë vendet e stadiumit në qytetin Sharlote të Karolinës së Veriut, ku do të mbahet fjalimi. Miliona të tjerë pritet të dëgjojnë fjalimin e tij në televizion, gjë që e bën konventën çastin vendimtar për betejën për rizgjedhje. Analistët vlerësojnë se Obama do të flasë për punën e tij për shpëtimin e industrisë së makinave, vrasjen e Bin Ladenit dhe tërheqjen nga Iraku. Por një pjesë e rëndësishme e fjalës së tij pritet ti kushtohet të drejtave të njeriut, më shumë leje pune për emigrantët ilegalë dhe mbrojtje e të drejtave të komunitetit LGBT në të gjithë planetin.
Papunësia aktualisht në SHBA është 8.3 për qind e forcës së aftë për punë, ndërsa të rinjtë dhe minorancat, të cilat i dhanë fitoren katër vjet më parë, mund të mos dalin në votim këtë radhë.
Stiglitz sulmon Romney Nuk paguan taksat burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip