E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Stoltenberg: Retorika bërthamore e Rusisë, e rrezikshme

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi Rusinë kundër përshkallëzimit bazuar në pretendimet e rreme se Ukraina do të përdorë një ‘bombë të pistë’ në territorin e saj. Shefi i NATO-s tha se Rusia akuzon të tjerët për atë që synon të bëjë vetë dhe këtë e ka treguar në konfliktet e të kaluarës.

“Rusia tani pretendon në mënyrë të rreme Ukraina po përgatitet të përdorë një ‘bombë të pistë’ në territorin e saj. Aleatët e NATO-s e hedhin poshtë këtë pretendim të rremë. Rusia shpesh akuzon të tjerët për atë që ata synojnë të bëjnë vetë. Këtë model e kemi parë edhe më parë. Nga Siria në Ukrainë. Rusia nuk duhet të përdorë pretekste të rreme për përshkallëzim të mëtejshëm. Bota po vëzhgon nga afër”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në bordin e Aeroplanmbajtëses së Marinës amerikane USS George HW Bush.

Stoltenberg shtoi se ditët e fundit u bë e qartë se Irani ka ofruar mbështetje ushtarake për përpjekjet ruse të luftës kundër Ukrainës duke e cilësuar këtë situatë “të papranueshme”.

“Asnjë vend nuk duhet të ndihmojë agresorin në një luftë të paligjshme. Kështu që unë mirëpres që aleatët dhe Bashkimi Evropian po zbatojnë sanksione të forta ndaj Teheranit”, tha Stoltenberg.

Ai theksoi edhe një herë se NATO nuk ishte palë në luftën në Ukrainë, por do të vazhdojë të mbështesë të drejtën themelore të Ukrainës për vetëmbrojtje “për aq kohë sa të duhet”.

Ministrat e jashtëm të SHBA-së, Francës dhe Britanisë së Madhe lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke dënuar pretendimet e rreme të Rusisë se Ukraina ishte gati të përdorte një “bombë të pistë” në territorin e saj dhe duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur për Ukrainën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›