Stoltenberg: Ukraina më afër NATO-s se kurrë më parë. Zelensky: Marrja e ftesës për anëtarësim, do ishte ideale

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në ditën e dytë të punimeve të samitit që po zhvillohet në Vilnius, Lituani.
Në fjalën e tij, Stoltenberg është shprehur se Ukraina është gjithnjë e më afër NATO-s, teksa shton se aleanca Trans-Atlantike e ka thjeshtuar planin për anëtarësimin e Kievit, dhe kjo do të ndodhë sapo të plotësohen kushtet.
“Do të zhvillojmë konsultime për krizën dhe do të marrim vendime së bashku. Ukraina është tani më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha Stoltenberg.
Ky i fundit u shpreh se Putin e nënvlerësoi unitetin dhe forcën e anëtarëve të NATO-s përballë pushtimit të tij, teksa theksoi se aleanca ushtarake do të vazhdojë të qëndrojë me Ukrainën për aq kohë sa duhet, duke shtuar se NATO ka ofruar tashmë dhjetëra miliarda dollarë mbështetje gjatë vitit të kaluar.
Ndërsa Presidenti Zelensky u shpreh se marrja e ftesës për anëtarësim të Ukrainës në NATO, do të kishte qenë ideale.
Zelensky tha se Ukraina do të jetë gjithmonë një kontribuues për sigurinë e përbashkët dhe i quan paketat e reja të mbështetjes së mbrojtjes “lajme pozitive”.
Presidenti ukrainas thotë se e kupton se disa njerëz kanë “frikë” të flasin për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, sepse “askush nuk është i gatshëm të ketë një luftë botërore”.
Presidenti i Ukrainës pranon se vendi i tij nuk mund të jetë anëtar i aleancës ndërkohë që një luftë po zhvillohet brenda kufirit të saj.
/rtsh.al/