Stonestreet: 2 partitë, nuk kryen me përgjegjësi detyrat e tyre

Shefi i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Jonathan Stonestreet, i cili foli me telefon nga Parisi, ka komentuar zhvillimet zgjedhore në Shqipëri gjatë seancës informuese të Komisionit amerikan të Helsinkit. Megjithëse zgjedhjet sollën disa dukuri pozitive, tha ai, dy partitë, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk i kryen me përgjegjësi detyrat e tyre përsa u përket zgjedhjeve dhe kjo ndikoi negativisht në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke minuar besimin e publikut.
Kjo, tha ai, u pa në faktin që Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u përdor si një fushë beteje politike mes partive, në emërimin e vonuar të komisionerëve si dhe në akuzat publike të papërgjegjshme që vunë në pikëpikëpyetje integritetin e komisionerëve në të gjitha nivelet.
Përsa i përket KQZ-së, tha Stonestreet , vendimet për çështje të cilat kontestoheshin nga partitë politike, merreshin në linja politike dhe jo në mënyrë kolegjiale. Stonestreet ka komentuar edhe zgjedhjet në Tiranë, ku sipas tij, rezultati i ngushtë i zgjedhjeve do ta vinte në provë çdo administratë zgjedhjesh, edhe ato më të fortat.
Ai tha se nuk mund të komentojë lidhur me vendimin e KQZ-së për të hapur kutitë në të cilat u hodhën gabimisht fletët e votimit, sepse ai do të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor. Robert Benxhamin i Institutit Demokratik Kombëtar me qendër në Uashington tha se është e nevojshme që dy partitë politike kryesore të bëjnë një hap prapa, duke nënkuptuar se ato nuk duhet të ndërhyjnë në proces. Gjithashtu, tha ai, dy kandidatët për Tiranën duhet t`u shmangen deklaratave triumfaliste.
Ambasadori i Shqipërisë në Uashington, Gilbert Galanxhi, tha se këto zgjedhje ishin të lira dhe të drejta me një pjesmarrje të madhe.