E Hënë, 2 Nëntor 2026

Strasburg: Udhëheqësit i japin fund takimit të NATO-s

Presidenti Barak Obama i dorëzoi sot Kroacisë dhe Shqipërisë dokumentin zyrtar të anëtarësimit. Presidenti Obama vlerësoi zgjerimin e NATOs me dy anëtarë të rinj dhe theksoi se dyert e Aleancës do të qëndrojnë të hapura.

"Ndërsa urojmë Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin në NATO, dua të theksoj se kjo nuk është hera e fundit kur pranojmë anëtarë të tjerë në Aleancë. Duam që sa më shpejt edhe Maqedonia të bëhet pjesë e NATOs. Dyert e Aleancës do të mbeten të hapura për vende të tjera që gëzojnë standartet e NATOs dhe që mund të japin kontributin e tyre në Aleancë," tha Presidenti amerikan.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jap De Hop Skefer uroi Shqipërinë dhe Kroacinë dhe vlerësoi punën e bërë nga këto dy vende për t'u anëtarësuar.

Ndërkohë, Franca dhe Gjermania dhanë mbështetjen e plotë për strategjinë e re të Presidentit Obama për luftën në Afganistan, por vazhduan t'i rezistojnë kërkesave amerikane për më shumë trupa, gjë që i la disi në hije simbolet e bashkimit në takimin e nivelit të lartë me rastin e 60 vjetorit të aleancës. Zonja Merkel dhe zoti Sarkozi theksuan nevojën që qeveria dhe forcat e sigurisë afgane të marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi në vend.

"Presidenti Sarkozi tha se NATO nuk mund të humbasë në Afganistan, pasi një pjesë e lirisë së botës varet nga rezultati i misionit të Aleancës atje. Ne kemi besim tek presidenti Obama."

Aleanca po kështu zyrtarizoi sot emërimin e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të NATOs Anders Fogh Rasmussen. Zoti Rasmussen u zotua se do të jepte maksimumin këtë post.

"Ne sot përkujtuam 60 vjetorin e lëvizjes për paqe më të suksesshme në botë, sot përkujtuam miqësinë gjermano-franceze, unitetin e Europës, dhe partneritetin transatlantik”.
 
Duke folur me gazetarët pas takimit, sekretari aktual i Aleancës uroi Shqipërinë dhe Kroacinë për anëtarësimin në NATO dhe vlerësoi pozitivisht kthimin e Francës në komandën ushtarake të NATOs. Zoti Skefer tha se NATO ka vendosur një misison të ri për stërvitjen e forcave ushtarake afgane. NATO-ja, tha ai, arriti një sërë marrëveshjesh në lidhje me Afganistanin.

Sekretari i NATOs tha se NATO-ja duhet dhe do të bashkëpunojë me Rusinë mbi një sërë çështjesh. Po kështu, tha zoti Skjefer, NATO ra dakord të rishikojë Dokumentin Strategjik të vitit 1999. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›