Strategjia e re për biodiversitetin – Ekspertët, ndryshimet klimatike dhe urbanizimi kërcënojnë natyrën

Ndryshimet klimatike dhe zhvillimi urban, veçanërisht në zonat bregdetare, konsiderohen sot ndër kërcënimet më të mëdha për ekosistemet natyrore të vendit.
Ky është një nga konstatimet kryesore të ekspertëve që po punojnë për hartimin e Strategjisë së re dhe Planit Kombëtar të Veprimit për Biodiversitetin në Shqipëri për periudhën 2026-2035. Aspekte të kësaj strategjie u diskutuan në një takim të zhvilluar në Universitetin e Shkodrës, ku morën pjesë ekspertë të mjedisit, studiues dhe pedagogë të fushës.
“Zona më e prekur në të gjithë Shqipërinë por edhe në Shkodër janë gjithmonë zona bregdetare dhe lagunore sepse urbanizimi presionin më të madh e vendos afër lagunave, plazheve etj”, u shpreh Rezart Kapedani, Ekspert Kombëtar për strategjinë e biodiversitetit 2026-2035.
Sipas specialistëve të përfshirë në procesin e hartimit të strategjisë, stafet akademike përbëjnë një komponent të rëndësishëm për ofrimin e rekomandimeve dhe ekspertizës shkencore në hartimin e politikave të reja për mbrojtjen e biodiversitetit.
“Ky është takimi i 4 që realizohet me akademikët duke realizuar edhe me universitetet e tjera. Universiteti i Shkodrës është më i madhi në veriun e Shqipërisë ishte i nevojshëm organizimi i një takimi të tillë”, tha Xhiliola Bixheku, Eksperte Kombëtare për Mjedisin.
Rishikimi dhe përditësimi i Strategjisë dhe Planit Kombëtar të Veprimit për Biodiversitetin është një kërkesë që buron nga Konventa për Diversitetin Biologjik, por njëkohësisht edhe pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka në kuadër të procesit të integrimit evropian. Strategjia e re synon të jetë në përputhje me politikat dhe objektivat e Bashkimit Evropian për biodiversitetin, në një kohë kur Shqipëria aspiron anëtarësimin në BE
Gazetar: A.Hoti
/rtsh.al/