Strauss-Kahn sërish probleme me ligjin

Këtë herë ai është ftuar të dëshmojë para policisë franceze, brenda javës së ardhshme, mbi një çështje hetimore që ka të bëjë me një rrjet “prostitucioni elitar”, në qytetin e Lilës.
Shoqërimi me prostituta lejohet me ligj në Francë, por “sigurimi i prostitutave” për persona të tjerë është i paligjshëm dhe është gjithashtu e paligjshme për një zyrtar të pranojë dhurata të çfarëdo lloji nga një kompani a biznes.
Domenique Strauss-Kahn dha dorëheqjen nga kreu i FMN-së në muajin maj të vitit të kaluar, pas akuzës së përdhunimit ngritur ndaj tij nga kamerierja e një hoteli në New York.
Më 23 gusht, ai u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga të gjitha akuzat.
Megjithatë, rasti në fjalë si dhe denoncimi i një shkrimtareje franceze që kishte të bënte po me përdhunimin, dëmtuan imazhin e tij, pasi që ai deri para këtyre akuzave shihej si kandidati kryesor i socialistëve për president përballë Nicolas Sarkozy.