E Martë, 3 Nëntor 2026

Studentë të huaj te Bujqësori, më shumë studentë degët prioritare

1.083 studentë kanë zgjedhur këtë vit të studiojnë në programet që ofron Universiteti Bujqësor. Këtë vit ka pasur edhe një rritje të kërkesës për degët prioritare, numri studenteve është rritur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë.

“Universiteti Bujqësor është i vetmi në vend që jo vetëm që nuk ka rënie por ka rritje duke dëshmuar cilësi akademike, cilësi stafi dhe cilësi të infrastrukturës”, tha rektori i Universitetit Bujqësor Fatbardh Sallaku.

Në programin arkitekturë peizazhi në Universitetin Bujqësor do të zhvillojnë këtë vit 1 semestër edhe disa student Italian të universitetit të Tuscia-s në kuadër të bashkëpunimit që ky universitet ka me Universitetin Bujqësor.

“Vij nga Firencja. Zgjodhëm të studiojmë në Shqipëri pas një vizite që bëmë në vendin tuaj. Na pëlqeu shumë dhe vendosëm që dhe studimet e larta t’i kryejmë këtu. Në qytetin tonë ka shumë ndërtime ndërsa në Shqipëri na bën përshtypje gjelbërimi, pemët, natyra”, thotë një studente.

“Unë jam nga Roma. Kam zgjedhur të ndjek studimet këtu, pasi është një mundësi e mirë për ne të studiojmë në një qytet që është në zhvillim. Shpresoj të jetë një eksperiencë e bukur dhe e vlefshme për të ardhmen tonë”, tha një student. 

Studentët të cilët ende nuk janë regjistruar do tu jepet mundësia edhe gjatë tetorit të zgjedhin programet e studimit ku kanë mbetur kuota të lira.

Gazetare: Keti Toroveci

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›