E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët i thyen karriget e kryeministrisë, Rama ikën në Malin e Zi, sajon ‘dialogun’ me një protestues! Arrestimi i Ballukut? Mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria

Pasi i thyen karriget e dialogut, kryeministri Edi Rama ka sajuar një përballje me një të ri në ditën e nëntë të protestave studentore. Në videon e publikuar nga kreu i qeverisë, studenti ngre pikëpyetje mbi besueshmërinë e ftesës për dialog, duke përmendur emrat e Belinda Ballukut, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt si argumente për skandalet që kanë njollosur besimin te qeveria.

I riu i “thotë” Ramës se studentët nuk kanë besim tek ai pasi kur SPAK kërkoi arrestimin e ish-zëvendëskryeministres, kryeministri e mbrojti atë.

Teksa udhëton drejt Malit të Zi, sipas tij për Samitin e Berlinit, Rama e kundërshton këtë interpretim, duke këmbëngulur se nuk mbron askënd nga drejtësia. Sipas tij, në rastin e Ballukut, qëndrimi i shumicës parlamentare kishte për qëllim mbrojtjen e drejtësisë nga ajo që ai e cilëson si “njëanshmëri”.

“Unë nuk mbroj askënd nga drejtësia, përkundrazi, por në atë rast ne mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria”, shprehet Rama në videon e publikuar.

Kryeministri argumenton se refuzimi i Parlamentit për të miratuar kërkesën për arrestimin e Ballukut nuk e pengoi SPAK-un të vijonte hetimet.

Më tej studenti rikujton edhe premtimin e vitit 2018 për financimin e universiteteve me 5%, duke pretenduar se zotimi nuk është përmbushur.

Pjesë nga videomontazhi i Ramës:

Studenti: Po jua jap unë 3 argumente: Belinda Balluku, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj.

Rama: Më fal, ju jeni prokuror, jeni gjykatës, apo jeni student? Dhe nëse jeni student, duhet të bëni kujdes një çik nga një profesori që ju ka mësuar të ngrini akuza kolektive, duke rreshtuar emra, sepse ky vend ka vuajtur shumë nga idhujt vrastarë të atij profesori, që ju mëson së prapthi.

Studenti: A doni t’ju jap 420.000 argumentë të tjerë, aq sa shqiptarë janë larguar që nga viti 2011?

Rama: Me kënaqësi po, dua të më japësh 420.000 argumentë, apo sy më sy ama, dhe me durimin për të dëgjuar, dhe jo vetëm me nxitimin për të folur, e për të propaganduar.

Studenti:  A doni të dini pse ne nuk kemi besim te dialogu juaj? Sepse na e treguat besën në 2018-ën, kur ju premtuat studentëve 5% që edhe sot e keni pa paguar faturën.

Rama: Kështu thoni ju, por lexojeni paktin për universitetin që ishte dokumenti që e kurorëzoi atë protestë studentore, dhe mos ngatërroni kërkesat e shumta që u hodhën lart e poshtë aso kohe me zotimet e qarta dhe të shkruara që mori qeveria.

Studenti: Sepse kur SPAK-u kërkoi arrestimin e Belinda Ballukut, ju e mbrojtët atë.

Rama; Jo, ndryshe nga çfarë thonë ata që nuk dinë çfarë thonë, unë nuk mbroj askënd nga drejtësia, përkundrazi, por në atë rast ne mbrojtëm drejtësinë nga njëanshmëria, dhe koha na dha të drejtë, sepse refuzimi ynë për të pranuar duke ngritur kartonat e parlamentit, një tjetër arrest pa gjyq, në një vend që është bërë turp i Europës, me 63% të paraburgosur në totalin e të burgosurve, nuk e pengoi aspak SPAK-un që t’i thellonte hetimet, dhe t’i shteronte duke zgjeruar akuzat.

Studenti: Prandaj nuk kemi besim tek ju.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›