Studentja nga Maqedonia, viktimë e uraganit “Irene”

Një studente nga Maqedonia është një nga viktimat e uraganit “Irene” në Nju Jork. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë në Shkup, e cila bën të ditur se bëhet fjalë për studenten 20- vjeçare nga qyteti i Shtipit, e cila së bashku me disa persona të tjerë, u gjet e vdekur në një makinë në Nju Jork.
Akoma nuk bëhen të ditura detajet e plota për vdekjen e studentes dhe lokacioni se ku ka ndodhur tragjedia. Studentja po qëndronte në SHBA për studime, në kuadër të programit studentor për shkëmbim “Work and travel”. Autoritetet amerikane menjëherë pasi kanë zbuluar viktimën dhe identitetin e saj, kanë informuar ambasadën e Maqedonisë në Uashington.
Nga MPJ deri tani nuk zbardhin identitetin e studentes, derisa të informohet më detajisht familja e saj. Nga uragani “Irene” që përfshiu bregun lindor të SHBA-ve, humbën jeten 21 persona.