Zyrtarë të lartë të NATO-s, në takim me gjeneralin Buhler

Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, admirali James G. Stavridis dhe udhëheqësi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giampaolo di Paola, vizituan shtabin qendror të KFOR-it dhe trupat e NATO-s në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, mirëpriti ushtarakët e lartë në Shtabin Qendror në “Film City” në Prishtinë. Ai i informoi admiralët rreth situatës së përgjithshme në Kosovë dhe progresin e situatës së sigurisë për të cilën KFOR-i ka dhënë kontributin e vet.
Buhler dha vlerësimin e tij për zhvillimet në veri, që nga 25 korriku i këtij viti. Buhler falënderoi udhëheqësit e tij të lartë të NATO-s për përkrahjen e tyre dhe zbarkimin e shpejtë të Batalionit Rezervë (ORF) i cili kontribuon në suksesin e këtij misioni. Ai konfirmoi vendosmërinë dhe gatishmërinë e të gjithë ushtarëve të KFOR-it për të përmbushur misionin e tyre.
Pas kësaj vizite, Stavridis dhe di Paola shkuan në Jarinje ku u informuan rreth situatës, sistemit të kontrollit dhe për incidentet e 27 korrikut 2011 kur u sulmua vendkalimi dhe infrastruktura u djeg e u shkatërrua. Ata falënderuan gjeneralin Buhler dhe ushtarët e KFOR-it për përkushtimin e tyre në menaxhimin e krizës të javëve të fundit.