Studimi: Aktiviteti fizik intensiv redukton rrezikun e kancerit deri në 32 për qind

Aktiviteti i rregullt fizik zvogëlon rrezikun e disa sëmundjeve, duke përfshirë sëmundjet e zemrës dhe kancerit.
Kjo është një nga gjetjet e një studimi të kohëve të fundit të realizuar nga kërkuesit e Universitetit të Sidneit në Australi.
Studimi nxjerr se aktiviteti fizik me intensitet të lartë mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit deri në 32 për qind.
Me aktivitet fizik nuk nënkuptohet vetëm ushtrimet në palestër apo sporti, por edhe punët që kërkojë angazhim fizik me intensitet të lartë dhe që ndërpresin jetën sedentare.
Sipas studimit do të mjaftonin 3-4 minuta aktivitivet fizik, që të ulej rreziku i incidencës së kancerit.
Ekipi kërkimor ndoqi aktivitetin ditor të rreth 22,000 njerëzve që nuk bënin ushtrime të rregullta.
Ata më pas analizuan të dhënat e tyre shëndetësore deri në shtatë vjet dhe gjetën 2,356 raste të reja me kancer gjatë kësaj periudhe.
Nga të dhënat u arrit në përfundimin se pjesëmarrësit që kryenin katër deri në pesë minuta aktivitet fizik intensiv kishin një rrezik të reduktuar të zhvillimit të kancerit në krahasim me ata që nuk bënin ndonjë aktivitet të tillë.
Autori kryesor, Emmanuel Stamatakis, tha se do të duhen kërkime të mëtejshme për të përforcuar gjetjet, por deri tani studimi ofron një rekomandim premtues pa kosto për uljen e rrezikut të kancerit.
Gazetare Albana Agolli
/ rtsh /