Studimi/ Valët e të nxehtit që përfshinë Anglinë dhe Uellsin në maj dhe qershor, mund të kenë shkaktuar më shumë se 2700 humbje jetësh

Të paktën 2700 persona mund të kenë ndërruar jetë për shkak të valëve të të nxehtit që përfshinë Anglinë dhe Uellsin në maj dhe qershor të këtij viti. Kjo sipas një studimi të realizuar nga ekspertë të Kolegjit Perandorak të Londrës, zyra Meteorologjike, dhe Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale të Londrës që për realizimin e tij përdorën të dhëna të motit, modeleve klimatike dhe studimeve mbi mortalitetin tej normave gjatë valëve të të nxehtit.
Nga më shumë se 2700 persona që mendohet të kenë humbur jetën nga shkaqe që patën lidhje me nxehtësinë në maj dhe qershor, 42 përqind e tyre ndërruan jetë si rezultat i nxehtësisë së tepërt të shkaktuar nga ngrohja e klimës si pasojë e aktivitetit njerëzor, shkruhet ndër të tjera në studim, ku valët e të nxehtit që përfshinë Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën Perëndimore gjatë dy muajve të shkuar, cilësohen si veçanërisht të pazakonta për kohën.
Ndërkohë, Europa perëndimore po përjeton sërish temperature tejet të larta, duke shkaktuar edhe përhapjen e zjarreve siç ishte ai që ra në jug të Spanjës, por që tashmë është vënë nën kontroll. Për të dytën ditë radhazi, forcat zjarrfikëse franceze po vijojnë betejën për vënien nën kontroll të flakëve në një pyll në jug të Parisit, dhe që deri tani kanë përfshirë rreth 800 hektarë tokë, një sipër faqe kjo më e madhe se Gjibraltari.