E Diel, 1 Nëntor 2026

Studiues nga Shqipëria dhe Evropa diskutojnë trashëgiminë komuniste dhe kujtesën historike

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, në bashkëpunim me Institutin për Hetimin e Krimeve Komuniste dhe Kujtesën e Mërgimit Rumun, organizon sot, si edhe ditën e nesërme, Konferencën Ndërkombëtare Shkencore mbi trashëgiminë komuniste dhe kujtesën historike.

Konferenca mblodhi studiues, historianë, akademikë dhe ekspertë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Evropës. Gjatë dy ditëve do të diskutohen tema që lidhen me monumentet dhe hapësirat e kujtesës, muzealizimin e komunizmit, drejtësinë tranzicionale, edukimin dhe kujtesën kolektive.

“Regjimet përpiqen dhe e shfrytëzojnë hapësirën publike për të projektuar pushtet, për të projektuar histori. Edhe këtu janë gjurmët e historisë së komunizmit”, tha Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit.

Ndërsa Luciana Jinga nga Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani u shpreh se, kujtesa e komunizmit është më e pranishme në Shqipëri se në Rumani.

“Jemi këtu duke folur për atë që ruajmë ende nga kjo kujtesë kulturore dhe materiale e komunizmit në ish-vendet komuniste”, tha Luciana Jinga.

Ndërsa Rajmun Fakete, drejtor në institucionin homolog në Hungari u shpreh se “është shumë e rëndësishme t’i ndajmë këto kujtime me brezat e ardhshëm, me ata fëmijë e të rinj që nuk kanë asnjë njohuri ose përvojë personale për atë që ka ndodhur në të kaluarën”.

Në kuadër të aktivitetit u prezantua edhe ekspozita “Traces of War in the Historical Memory of the Communist Regime in Albania”.

Ekspozita ka si synim të ndërgjegjësojë publikun për krimet e komunizmit dhe pasojat e tyre. Ajo ka në fokus disa pllakate të vendosura gjatë regjimit komunist në muret e institucioneve shtetërore të rëndësishme në Tiranë. Pllakatet përkujtojnë dhe nderojnë disa akte të përvetësimit të pasurisë shtetërore, të kryera nga struktura të armatosura komuniste gjatë viteve 1942-1943.

Me anë të këtyre pllakateve, regjimi komunist zgjidhte të përkujtonte ngjarjet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e vendit nga pushtimi fashist, por edhe të përcillte te brezat e rinj mesazhin e sakrificës dhe të heroizmit të mishëruar në këto akte vjedhjeje.

Fotografitë e paraqitura në këtë ekspozitë janë realizuar gjatë muajve qershor dhe gusht 2025. Pllakatet e vendosura për të nderuar luftën për çlirimin e vendit përkujtojnë një sjellje njerëzore (vjedhjen) që është dënuar historikisht nga shoqëritë dhe shtetet, përfshirë regjimin komunist shqiptar.

1 nga 7

/a.f/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›