E Diel, 1 Nëntor 2026

Stuhi shiu në vend, përmbytje në Lezhë, probleme në porte e akse rrugore

TIRANË-Reshjet e shiut të shoqëruara me erëra të forta kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore dhe porte detare në vend.

Elbasan
Stuhia me shi dhe erë ka përfshirë qytetin e Elbasanit duke shkaktuar përmbytje në segmente të Unazës Rrugore dhe shkarje dherash. Era ka rrëzuar disa pemë në këtë Unazë, kurse në aksin Përrenjas-Librazhd, problem janë bërë dherat që kanë mbuluar segmente të caktuara të rrugës nacionale.
Situata kritike sinjalizohet dhe në segmentin Librazhd-Murrash, ku janë rrëzuar massive të shumta me gurë.

Lezhë
Moti i keq që ka përfshrë vendin ka shkaktuar përmbytje në komunën Kolsh të Lezhës. Ferdinant Ndoi, kryetar i Komunës së Kolsh bëri të ditur se në disa shtëpi ka prezencë uji në oborre, ndërsa dhjetra familje në fshatin Barbuloi janë bllokuar nga uji.

Durrës
Shiu dhe erërat kanë shkaktuar vonesa në nisjen e trageteve në Portin e Durrësit. Burime për News24 bënë të ditur se tragetet e orës 23:00 të natës së mbrëmshme nuk janë nisur në destinacionet e tyre përtej Adriatikut. Ndërkohë tragetet e Barit janë nisur me 9 orë vonesë. Autoritetet portuale thanë se shkak janë bërë erërat e fuqishme që kanë shkaktuar në ujërat ndërkombëtare një det të trazuar me dallgë, 8-9 ballë.

Vlorë
Përvec probleme në port, ku tragetet janë nisur me vonesë, në Vlorë, stuhitë me erë dhe shi gjatë natës kanë dëmtuar zbukurimet për 28 Nëntor, ditë kur shënohet 100-vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar. 

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›