Sturnaras: Javët e ardhshme vendimtare për euron

Ministri grek i Financave, Janis Sturnaras, në një intervistë për të përditshmen greke Ethnos thotë se nëse nuk miratohen masat e kursimeve që kërkohen nga BE dhe FMN-ja, Greqia rrezikon seriozisht falimentimin dhe daljen nga zona euro.
Sturnaras tha se javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen e vendit në zonën euro, nëse nuk miratohen kursime të tjera të kërkuara nga kreditorët e BE dhe FMN-së.
“Vendi është angazhuar të kryejë një sërë masash dhe reformash për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për të shmangur përfundimisht kërcënimin e falimentimit” theksoi Sturnaras për Ethnos.
Eksperët e Trojkës kanë nxitur që prej disa javësh Qeverinë greke të koalicionit për të miratuar reduktime të tjera në shpenzimet publike, duke përfshirë uljen e pagave dhe pensioneve.
Por pavarësisht masave të marra, ekspertët e Citibank thonë se një dalje e Greqisë nga Eurozona është e pashmangshme.
Sipas tyre ekziston një hendek i madh mes reformave dhe përmirësimeve buxhetore të kërkuara nga kreditorët në njërën anë dhe asaj që është e mundshme ekonomikisht dhe politikisht në Greqi nga ana tjetër.