Subashi: Të ndërhyhet në Kod, rrezikohen zgjedhjet e ardhshme

Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apeloi ndaj forcave politike që të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore
TIRANË- Nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Dëshira Subashi, ka apeluar dje ndaj forcave politike që të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore, duke cilësuar si të domosdoshme ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor.
Në një prononcim për mediat, numri dy i KQZ-së, paralajmëron aktorët politik se duke shtyrë punën për reformën elektorale po rrezikohen standardet e zgjedhjeve të ardhshme.
Sipas saj, vonesat në ndërmarrjen e nismës për përmirësimet në Kod përmes Komisionit Elektoral do të vendosin në pikëpyetje punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do të detyrohet të ndërmarrë vendimmarrje të shpejtuar.
"Forcat politike duhet të fillojnë nga përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe këtu kuptoj së pari, ndërhyrjet e domosdoshme në Kodin Zgjedhor. Duke qenë në afatet kohore të afrimit të dekretimit të datës së zgjedhjeve sigurisht që politika duhet të kuptojë që institucioni zgjedhor kërkon kohën e nevojshme.
Çdo kohë e humbur si një pauzë, sigurisht që do ta vendosnin në vështirësi përgatitjen në standardet që kërkohen",- analizon situatën aktuale, nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi. Sipas saj, pa diskutim që do të ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në hapat e një vendimmarrje të shpejtuar, të ngurtësuar dhe koha është elementi që të lejon të punosh me qetësi, dhe të bësh vendimmarrjet e duhura.
Numri dy i institucionit të administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri sugjeron që partitë politike të bëjnë ndërhyrje në Kodin Zgjedhor përmes propozimeve konkrete.
"Ato ndryshime që u bënë për zgjedhjet e përgjithshme duhet të gjejnë reflektimin e tyre edhe në dispozitat e tjera që lidhen me zgjedhjet vendore, kjo duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjithsesi, kjo është një çështje absolutisht e politikës për ta bërë",- tha Subashi. Sipas saj, partitë politike duke që të reflektojnë në Kodin Zgjedhor rekomandimet që vijnë nga OSBE/ODHIR në raportin e bërë për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri.
Për sa i përket çështjes së numërimit të votave, ku partitë politike akuzojnë njëra-tjetra për keqpërdorim të procesit, nënkryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vlerësoi se partitë politike krijuan një proces numërimi të mangët dhe kritik në raportet ndërkombëtare.
Ajo theksoi se faji nuk është i Kodit Zgjedhor, pasi ligji e ka të mirëpërcaktuar procesin e numërimit të votave. Ndërsa afrohen zgjedhjet vendore, partitë politike kanë në dispozicion të saj 3 muaj kohë për të bërë ndryshimet e nevojshme në Kodin Zgjedhor.
Kjo pasi, gjashtë muaj para zgjedhjeve të ardhshme është e ndaluar që të bëhen ndryshimet në kod. Në këtë mënyrë, partitë politike në Shqipëri ndodhen përpara sfidës së tyre për të zhvilluar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe më pas të reflektojnë problemet në reformën elektorale.
APELI
"Forcat politike duhet të fillojnë nga përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme dhe këtu kuptoj së pari, ndërhyrjet e domosdoshme në Kodin Zgjedhor. Duke qenë në afatet kohore të afrimit të dekretimit të datës së zgjedhjeve sigurisht që politika duhet të kuptojë që institucioni zgjedhor kërkon kohën e nevojshme. Çdo kohë e humbur si një pauzë, sigurisht që do ta vendosnin në vështirësi përgatitjen në standardet që kërkohen".