LSI: PS t'i drejtohet vetë Komisionit të Venecias

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, apelon për fillimin e punës për reformën zgjedhore
Lëvizja Socialiste për Integrim vlerësoi dje se Partia Socialiste duhet t'i drejtohet vetë Komisionit të Venecias meqenëse ka ankesa. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, sqaroi se rruga me të cilin komunikohet me Komisionin e Venecias është e qartë dhe kushdo që ka ankesa dhe pretendime, është ai që i drejtohet Komisionit të Venecias.
"Kështu që PS e cila ka ankesa apo ka rezerva duhet të ndërmarri dhe nuk e kuptoj pse nuk e ndërmerr një rrugë të tillë për të parashtruar ankesat apo rezervat që ka lidhur me këtë çështje.
Nuk e kuptoj pse ua kërkon të tjerëve dhe i shmanget një përgjegjësie të tillë",- komentoi propozimin e PS-së, Petrit Vasili. Vetëm disa ditë më parë, kryetari i Grupit të PS, Gramoz Ruçi, deklaroi se propozimi i tyre për fletët e votimit është që kryetarja e Kuvendit t'i drejtohet Komisionit të Venecias për të dhënë një mendim mbi çështjet e fletëve dhe vendimi të pranohej nga të dyja palët.
I pyetur mbi deklaratën e PS se reforma zgjedhore duhet të fillojë pasi Komisionit Hetimor të ketë filluar punën e saj, Vasili vlerësoi se nuk ka kohë për të humbur më për reformën zgjedhore. Sipas tij, reforma zgjedhore mund të fillojë edhe që sot, pra që të hënën e kësaj jave. "Ndërkohë që çështjet e këtij komisioni për çështjen e zgjedhjeve të 28 qershorit, është një çështje krejtësisht më vete, dhe nuk ka lidhje fare me reformën zgjedhore.
Reforma zgjedhore, përmirësimi i saj, ka qenë një sfidë që ka filluar që ditën parë pas zgjedhjeve, që kur raportuesit ndërkombëtarë kanë bërë shënimet e tyre dhe na kanë lënë disa detyra", -vlerësoi nënkryetari i LSI-së.
Ai tha se partia e tij nuk kërkon asgjë më shumë sesa përmbushjen e këtyre detyrave, as u shmangemi përmbushjes së këtyre detyrave. Për numrin 2 të LSI-së, janë gjykatësit ndërkombëtarë për ta bërë këtë gjë, dhe çdo tentativë për ta bërë këtë gjë, do të thotë mungesë vullneti apo rikthim shumë i dëmshëm e negativ në ato praktika të ndryshimit të Kodit Zgjedhor në sekondat e fundit, gjë që na ka bërë të riciklojmë historitë e një Kodi Zgjedhor me probleme dhe të pa përshtatshëm.
Reagimi
PS: Një parti nuk i drejtohet dot Venecias
Pas deklaratës së LSI-së, i menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Socialiste, që përmes deputetit, Pirro Lutaj, vlerësoi se fatmirësisht Komisioni i Venecias është një arbitër ndërkombëtar vërtet i pavarur, që funksionon në bazë të rregullave të qarta. "Ju z. Ministër pjesën e rregullave nuk e kuptoni dot dhe s'keni faj, pasi shërbeni në një qeveri, që nuk njeh as rregulla e as ligj.
Një parti politike nuk i drejtohet dot komisionit të Venecias, prandaj nëse pushteti ka vullnet për të zgjidhur krizën le ta fillojmë me ngritjen e komisionit hetimor, hapjen e kutive të materialeve zgjedhore e më pas, kuvendi ose presidenti ti drejtohen për fletët e votimit komisionit të Venecias",- reagoi zyrtari i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj.
PD akuza Ramës
Alibeaj: Rama hesht për ndërtimin e 12 kullave 30-katëshe
Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, deklaroi dje se ka tre javë që çdo shqiptar ka mësuar, se nëpërmjet sekserit të tij Dritan Avllaj ose Tan Lepri, Edvin Rama, vetëm njërit prej zhvilluesve të qytezës Rama-Lepuri i ka prerë gjobën 100 milionë euro në 20%-shin e firmosur.
"Me zhvilluesit e tjerë ekziston po e njëjta marrëveshje. Kjo trefishon shumën marramendëse të fitimit që zoti Rama merr nga qyteza e partnerit të tij Lepri. Ka tre javë që Mr. 20% hesht dhe nuk del nga strofkulla e Lepurit, i tmerruar nga dokumentet autentike të botuara në media e të bëra publike nga deputetja Vokshi",- tha Alibeaj.
Sipas tij, ka tre javë që Edvin Rama, strumbullari kryesor i korrupsionit në Shqipëri e Ballkan hesht për vendin e tij në ndërtimin e 12 kullave 30-katëshe në të vetmen mushkëri të mbetur në Tiranë, ndërkohë që OBSH-ja ka dhënë alarmin se jeta e çdo qytetari të Tiranës shkurtohet me dy vjet prej kësaj. Ai tha se si deputet i Kuvendit do mbështesë iniciativën e deputetes Vokshi për hetimin e partnerëve dhe ftoi zotin Rama të prononcohet për këtë iniciativë.