Suki, “macja aventuriere” që pushtoi rrjetet sociale me udhëtimet e saj spektakolare

TIRANË, 20 korrik /ATSH/- Ajo nuk është një mace e zakonshme shtëpie. Suki, një mace e racës “bengal” nga Kanadaja, është kthyer në një nga kafshët më të njohura në rrjetet sociale falë pasionit të saj për udhëtimet, natyrën dhe aventurat në vende të ndryshme të botës, sipas medias italiane “La Stampa”.
Me pamje spektakolare pranë liqeneve me ujëra të kristalta, në pyje, male dhe peizazhe të egra, Suki ka fituar zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën.
Fotografitë e saj duke lundruar me kanoe, duke eksploruar shtigje malore apo duke qëndruar mbi shpatullat e pronarëve të saj janë bërë virale, duke e shndërruar atë, në një simbol të asaj që sot quhet “Macja aventuriere”.
Suki jeton në Alberta të Kanadasë me pronaren e saj, fotografen e peizazheve Martina Gutfreund, dhe partnerin e saj Kenny Hildebrandt.
Fillimisht, Martina nisi të publikonte fotografitë e maces në llogarinë e saj personale, por shumë shpejt kuptoi se imazhet e Sukit tërhiqnin më shumë vëmendje se fotografitë e saj profesionale.
Për këtë arsye krijoi një profil të veçantë për të në Instagram, i cili u kthye në një fenomen global.
Sot, profili i Sukit ndiqet nga rreth 1,9 milionë njerëz dhe dokumenton udhëtimet e saj në natyrë, nga malet dhe pyjet e Kanadasë deri në destinacione të ndryshme ndërkombëtare.
Ajo ka vizituar më shumë se 13 vende, përfshirë Kanadanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa shtete evropiane si Italia, Franca, Gjermania, Republika Çeke, Kroacia dhe të tjera.
Nga macja e shtëpisë te aventurierja e natyrës
Rruga e Sukit drejt famës nisi që në moshë të vogël.
Martina filloi ta mësonte gradualisht me daljet në natyrë, duke përdorur një parzmore dhe duke e shpërblyer me ushqime gjatë trajnimit.
Pas marrjes së vaksinave të nevojshme, macja nisi të eksploronte ambientet jashtë shtëpisë dhe me kalimin e kohës u përshtat me udhëtimet, ecjet dhe aktivitetet në natyrë.
Sipas pronarëve të saj, Suki nuk detyrohet të pozojë për fotografitë.
Ajo zakonisht eksploron vetë zonën përreth dhe fotografitë kapin momentet e saj natyrore.
Martina përdor fotografinë profesionale dhe shkrepjet e shpejta për të kapur pamjet më të bukura të maces së saj në mjedise spektakolare.
Megjithëse në shumë fotografi duket sikur ecën e lirë në natyrë, pronarja ka sqaruar se Suki përdor gjithmonë parzmore gjatë aventurave jashtë ambienteve të sigurta.
Në disa imazhe rripi hiqet gjatë përpunimit fotografik për një pamje më estetike, por siguria e maces mbetet prioritet.
Një ambasadore e udhëtimeve me kafshë shtëpiake
Aventurat e Sukit kanë ndihmuar në ndryshimin e perceptimit tradicional, se macet preferojnë vetëm jetën brenda shtëpisë.
Historia e saj ka treguar se, me durim dhe kujdes, disa kafshë shtëpiake mund të përshtaten edhe me një mënyrë jetese aktive.
Përveç fotografive në rrjetet sociale, aventurat e saj janë përmbledhur edhe në librin “Travels of Suki the Adventure Cat”, i cili përmban fotografi nga udhëtimet e saj dhe mesazhe frymëzuese për eksplorimin e natyrës.
Suki është bërë jo vetëm një yll i internetit, por edhe një frymëzim për mijëra pronarë kafshësh në mbarë botën, që duan të ndajnë përvoja udhëtimi me miqtë e tyre me katër putra. //a.i/