Sula: Inspektorët do të pajisen me kamera trupore inteligjente

TIRANË, 21 korrik/ATSH-Maela Marini/ Në kuadër të projektit “Smart City”, të gjithë inspektorët në vend do të pajisen me kamera trupore inteligjente brenda një periudhe prej 8 deri në 9 muajsh.
Lajmin e bëri të ditur sot nga Gjirokastra Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili tha se teknologjia e re do të shërbejë për rritjen e transparencës, gjurmueshmërisë së kontrolleve dhe parandalimin e korrupsionit në trupën e inspektimit.
“Kam fatin që sot nga Gjirokastra të lançoj për herë të parë një lajm me të vërtetë me vlerë për trupën e inspektimit në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, u shpreh Sula, duke theksuar mbështetjen e kryeministrit Edi Rama për modernizimin e sistemit të inspektimit.
Sula bëri të ditur se kamerat trupore do të jenë të një niveli të lartë teknologjik, të integruara me inteligjencën artificiale, duke mundësuar identifikimin e problematikave që mund të shfaqen gjatë kontrolleve në terren.
Sipas tij, sistemi do të mundësojë gjithashtu transmetimin e informacionit në kohë reale drejt qendrës që do të ngrihet pranë Inspektoratit të Përgjithshëm, duke ndihmuar në evidentimin e rasteve të abuzimit nga inspektorët apo tentativave për korrupsion nga subjektet e inspektuara.
“Ky do të jetë një mekanizëm që do të bëjë të mundur rritjen e transparencës dhe parandalimin e korrupsionit në trupën e inspektorëve në të gjithë vendin”, tha Sula.
Ai nënvizoi se pajisja e inspektorëve me kamera inteligjente do të shoqërohet me një tjetër risi, atë të dixhitalizimit të plotë dhe modernizimit të sistemit të inspektimit.
Sipas Sulës, në sistemin e ri nuk do të jenë më inspektorët ata që do të përcaktojnë subjektet për t’u kontrolluar në terren, por vetë sistemi, i cili do të përzgjedhë subjektet bazuar në indikatorët e riskut.
“Do të jetë vetë sistemi ai që do të përzgjedhë, në bazë të indikatorëve të riskut, subjektet që kanë risk të lartë dhe ndaj të cilëve do të realizohet inspektimi”, deklaroi Inspektori i Përgjithshëm.
Sula tha se dixhitalizimi i sistemit të inspektimit dhe instalimi i kamerave trupore inteligjente për të gjithë inspektorët pritet të përfundojnë brenda 8 deri në 9 muajsh, me synimin për të krijuar një trup inspektimi modern, transparent dhe të monitorueshëm në kohë reale në të gjithë territorin e vendit.
Kjo teknologji do të mundësojë monitorimin dhe ndërveprimin në kohë reale, duke garantuar një sistem inspektimi më transparent, kontrolle më të gjurmueshme dhe inspektorë më të përgjegjshëm.
/a.f/