Sulm me molotov në shtëpinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë në Greqi, plagoset një polic

Shtëpia e kryetarit të Gjykatës së Lartë në Greqi ka rënë pre e një sulmi me bomba molotov në orët e para të së enjtes. Sipas mediave greke, persona të panjohur hodhën shishe me lëndë djegëse drejt kullës së vrojtimit, e cila ndodhej para shtëpisë së kreut të Gjykatës së Lartë në zonën e Papagos dhe më pas u larguan.
Nga sulmi u plagos një efektiv policie, i cili pësoi djegie të shkallës së dytë. Paraprakisht dyshohet se bëhej fjalë për një sulm kundër oficerit të policisë dhe jo shtëpisë së kryetarit të Gjykatës Supreme. Autorët dyshohet se kanë ndjekur atë dhe sapo ai ka hyrë në makinën e patrullës e kanë sulmuar.
Policia ka bërë 9 arrestime nga vendi i ngjarjes, por ndaj të arrestuarve nuk ka patur prova që kishin qenë të pranishëm në sulm dhe për pasojë janë lënë të lirë.
Hetimet për ngjarjen u ndërmorën fillimisht nga Sigurimi i Shtetit, por tashmë çështja i ka kaluar Shërbimit Antiterror./ Protothema
/rtsh.al/