E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sulm me tritol zyrës së noterit në Lezhë, shpërthimi shkakton dëme materiale në ambientet e punës së Fran Gjonit

Një shpërthim me tritol tronditi Lezhën në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Objekt i sulmit ishte zyra e noterit Fran Gjoni, që ndodhet në qendër të qytetit të Lezhës, pranë sheshit “Gjergj Kastrioti”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 4:00 të mëngjesit dhe fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Nga këqyrja e deritanishme e kamerave të sigurisë, rezulton se autorë janë dy persona. Ata kanë ardhur me një automjet dhe njëri prej tyre nga xhami i parë i pasagjerit ka hedhur lëndën plasëse.

Ndërkohë në dëshminë e tij paraprake në polici, noteri Fran Gjoni ka mohuar të ketë konflikte, teksa pista kryesore e hetimeve është përqendruar pikërisht te veprimtaria e noterit i cili operon prej më shumë se 1 dekade në qytetin e Lezhës.

Fran Gjoni, është vëllai i ish-gjyqtarit Gjin Gjoni, i cili prej një viti është bërë pjesë e politikës si kryetar i Partisë Demokratike në Lezhë dhe kandidat në primare për të qenë deputet.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›