“Sulme asgjësuese në selitë e PS në gjithë vendin”, Balla reagon pas deklaratës së Berishës: Thirrje publike për kryerjen e veprave penale, organet kompetente të veprojnë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të bëra nga kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili paralajmëroi “sulme asgjësuese” ndaj selive të PS në çdo rreth.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla e cilësoi deklaratën si thirrje të hapur për kryerje veprash penale, nxitje të dhunës, urrejtjes dhe përçarjes. Ai theksoi se thirrje të tilla përbëjnë shqetësim serioz për rendin dhe sigurinë publike.
“Thirrja publike për kryerjen e veprave penale, thirrja për dhunë, nxitja e urrejtjes dhe e përçarjes, goditjet që shkojnë deri në tentativë vrasje ndaj punonjësve të policisë së shtetit, goditjet për shkak të detyrës, përfshirja e të miturve në krim janë vepra penale të dukshme. I takon organeve kompetente t’i vlerësojnë,” u shpreh Balla.
Ai iu drejtua gjithashtu anëtarëve dhe simpatizantëve të Partia Demokratike, duke i kërkuar të mos i bashkohen thirrjes së Berishës.
“Kam një thirrje vëllazërore miqve të Partisë Demokratike në bazë, mos e merrni veten në qafë nga urdhrat e një plaku matuf, i cili për prapanicën e tij ka mbjellë vëllavrasje gjithë jetën e tij politike. Tropoja për shembull e ka vuajtur dhe vazhdon ti vuajë thirrjet dhe porositë e tij”, deklaroi ai.
/rtsh.al/