E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulme të reja me raketa dhe dronë në Kiev, dy viktima

Lufta në Ukrainë vijon me intensitet të lartë, ndërsa gjatë natës janë regjistruar sulme të fuqishme ajrore nga të dyja palët.

Rusia ka kryer një seri sulmesh me dronë dhe raketa balistike ndaj Kievit, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona dhe disa të tjerë janë plagosur. Sulmet shkaktuan dëme në ndërtesa banimi, objekte industriale dhe zona të tjera, ku u raportuan edhe zjarre.

Moska deklaroi se objektivat e goditura ishin pika ushtarake dhe infrastruktura të lidhura me prodhimin e dronëve ukrainas.

Ndërkohë, Ukraina ndërmori një sulm me dronë ndaj bazës strategjike ajrore ruse “Engels-2”, në rajonin e Saratovit. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe atyre ukrainase, në bazë u regjistruan shpërthime dhe zjarre.

Baza “Engels-2” konsiderohet një nga qendrat kryesore të aviacionit strategjik rus dhe përdoret për operacione me bombardues me rreze të gjatë veprimi.

Sulmet e fundit vijnë në një periudhë kur Kievi vijon t’u kërkojë aleatëve perëndimorë forcimin e mbrojtjes ajrore, ndërsa përdorimi i raketave dhe dronëve në thellësi të territoreve të të dy vendeve është intensifikuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›