E Martë, 3 Nëntor 2026

Sulmet me raketa ndaj Ukrainës, Zelensky thirrje Perëndimit: Na lejo të godasim brenda terrorit rus

Një vajzë 14-vjeçare është vrarë nga sulmet ruse në qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv. Sulmi ndodhi ndaj një sheshi lojërash, referuar zyrtarëve lokalë.

Përveç vajzës 14-vjeçare, nga sulmet ruse kanë mbetur të vrarë pesë persona të tjerë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas goditjes së një ndërtese banimi në një qytet afër kufirit rus.

Nga ana e tij, presidenti Volodymyr Zelensky përsëriti thirrjet për të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës që ta lejojnë atë të godasë objektivat brenda Rusisë për të parandaluar sulme të tilla.

Sulmet erdhën vetëm disa orë para se Zelensky të shkarkonte kreun e forcës së tij ajrore, gjenerallejtënant Mykola Oleshchuk.

Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, ndodhet rreth 35 km nga kufiri rus dhe ka qenë objektiv i sulmeve të shpeshta që nga pushtimi i plotë i Rusisë në shkurt të vitit 2022.

Guvernatori rajonal Oleg Sinegubov tha në Telegram se të paktën 59 persona ishin plagosur, me 20 të tjerë në gjendje të rëndë dhe disa të cilëve u duhej amputim.  Sipas tij, u plagosën edhe 9 fëmijë.

Sinegubov tha se sulmet ishin nisur nga rajoni rus i Belgorodit, i cili ndodhet pikërisht përtej kufirit.

“Le të themi pa mëdyshje se kishte sisteme udhëzuese [në raketa]. Këto rrugë janë ekskluzivisht parqe me grumbullime të mëdha civilësh. Kjo është një ndërtesë banimi. Ky është terror masiv kundër popullatës sonë civile”, tha Sinegubov.

Zelensky u shpreh se Rusia kishte vënë në shënjestër njerëzit e zakonshëm dhe sulmet mund të ishin parandaluar nëse Ukraina do të kishte aftësinë të shkatërronte avionët ushtarakë rusë në bazat e tyre.

“Kjo është një nevojë absolutisht legjitime. Nuk ka asnjë arsye racionale për të kufizuar mbrojtjen e Ukrainës”, tha ai.

Aleatët perëndimorë të Ukrainës nuk i kanë lejuar asaj të përdorë armët e tyre për të goditur territorin rus nga frika e përshkallëzimit të konfliktit.

Mbretëria e Bashkuar ka lejuar që shumica e pajisjeve që ka furnizuar të përdoren për të goditur Rusinë, megjithëse bën përjashtim për raketat me rreze të gjatë Storm Shadoë.

Në maj, SHBA lejoi Ukrainën të godiste objektivat brenda Rusisë, por vetëm pranë rajonit të Kharkiv dhe vetëm për të “goditur forcat ruse që i godasin ose përgatiteshin për t’i goditur ato”.

Ajo vazhdon të refuzojë lejen për sulme më thellë në territorin rus.

“Ne kemi nevojë për aftësi me rreze të gjatë dhe zbatim të plotë të marrëveshjeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Këto janë masa shpëtimi”, tha Zelensky.

Duke iu përgjigjur sulmeve të së premtes, ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë, Bridget Brink, tha se “mendimet tona janë me njerëzit e Kharkiv-it ndërsa operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar. Rusia duhet të mbajë përgjegjësi për këto krime lufte”

Në fillim të kësaj jave, teknologjia dhe financat perëndimore po ndihmonin Ukrainën të kryente qindra sulme me rreze të gjatë në Rusi duke përdorur drone të prodhuar nga Ukraina, raporton BBC.

Objektivat përfshinin bazat e forcave ajrore, depot e naftës dhe municionit dhe qendrat e komandës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›