Sulmet ndaj Kastriot Islamit, tregojnë antikulturën e Ramës për demokracinë dhe votën

Procesi zgjedhor, i lirë dhe i ndershëm, Rama po përdor KQZ-në si objekt bllokimi
Shefi i qeverisë iu rikthye sërish çështjes së KQZ-së, duke e cilësuar të ligjshëm zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në institucionin kryesor të administrimit të zgjedhjeve. Kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e opozitës, Edi Rama se po përdor KQZ-në si objekt bllokimi. “I garantoj shqiptarët se qeveria do të bëjë gjithçka për zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe se vendi i ka potencialet për t’i bërë këto.
Koncepti i z.Rama se meqënëse një parti e koalicionit qeveritar kaloi në anën e opozitës, vendimi i tij se tani është edhe opozitë edhe qeveri, është thjesht marrëzi, sepse kushtetua e vendit ka përcaktuar kush është qeveri dhe kush është opozitë dhe se, në të gjitha ligjet e vendit, balanca e institucioneve të zgjedhjeve, është balancë midis qeverisë dhe opozitës. A kishte gjë më qesharake të dalësh jashtë kontrollit, se po të marrin anëtarin e KQZ-së? Atëherë frika e tij se, ky institucion është i pavarur, e faktoi z.Rama me z.Biba dhe z.Shtylla. Hidhini një sy KQZ-së, në emër të pavarësisë apo varësisë totale ndaj z.Rama, u larguan këta?”- theksoi Berisha. Për kryeministrin, reagimet e ashpra të opozitës, pas votimit në Kuvend për zëvendësimin e Muhos, ishin qesharake. Sulmet ndaj Kastriot Islamit, Berisha i cilësoi si vandalizma të Edi Ramës që tregojnë anti-kulturën e tij për demokracinë dhe votën e lirë, ndërsa deklaroi gjithashtu se zgjedhjet nuk do të shtyhen. “Cila është pavarësia e institucioneve e faktoi zoti Rama tek votohej në parlament, me akte të paprecedentë ndaj deputetëve që kanë kontribute në parlamentarizmin shqiptar, në një kohë kur ai flinte në metronë e Parisit. E më pas i rrethoi shtëpinë, meqenëse nuk ia bllokoi dot të drejtën e votës, me të gjithë vandalizmin që ushtroi. Ajo që patë në parlament, ajo që patë rreth shtëpisë së Kastriot Islamit, ajo është antikultura e liderit të opozitës për demokracinë, për votën për institucionet. Vazhdoi me kërkesën të shtyhen zgjedhjet. As edhe një ditë të vetme! Për këtë mori përgjigje përfundimtare”. Berisha komentoi edhe deklaratat për mosnjohjen e zgjedhjeve pas 23 qershorit nga ana a e kreut të PS. Sipas tij, Rama vuan nga sindromi obsesiv i kleptomanisë. “Dje anturazhit të tij i tha se, në qoftë se unë humbas zgjedhjet, nuk do të njoh rezultatin, se nuk kam anëtarët e komisionit. Atëherë, ai po kërkon justifikimin se zgjedhjet i fitova, por zgjedhjet m’i vodhën. Ky njeri vuan nga sindromi obsesiv i kleptomanisë. Çdo gjë i duket vjedhje apo se po vidhet. Ky nuk është faji ynë, është problem i tij”.