Sulmet nga Gaza, Sunak: I tronditur. Izraeli ka të drejtë absolute për të mbrojtur veten

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak ka reaguar pas sulmeve të Gazës në Izrael. Në mesazhin e tij, Sunak shprehet i tronditur, teksa thekson se Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten.
“Jam i tronditur nga sulmet e mëngjesit të sotëm nga terroristët e Hamasit kundër qytetarëve izraelitë. Izraeli ka të drejtë absolute për të mbrojtur veten. Ne jemi në kontakt me autoritetet izraelite dhe shtetasit britanikë në Izrael duhet të ndjekin këshillat e udhëtimit“, shkruan Sunak.
Të paktën 22 persona kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të Hamasit në Izrael dhe të paktën 500 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Kryeministri Benjamin Netanyahu reagoi duke thënë se vendi është në luftë.
Një komandant i lartë nga Hamasi pretendon se mijëra raketa janë lëshuar nga Gaza në Izrael. Dhjetra persona të armatosur nga grupi militant islamik Hamas duket se kanë depërtuar në Izraelin jugor.
/rtsh.al/