Sulmi i Ramës ndaj News24, ish-Presidenti Bamir Topi: Ju ka bërë nder! Media që ka pasqyruar favorizimet e paligjshme nga shteti! Protestuesit i dhanë kërkonin e kuq
Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar lidhur me sulmin e kryeministrit Edi Rama ndaj televizionit News24, duke deklaruar se kjo sjellje, sipas tij, i ka bërë nder medias, e cila ka pasqyruar çështje që lidhen me favorizimet e paligjshme nga shteti dhe trajtimin e diferencuar të qytetarëve dhe bizneseve.

“Ju ka bërë nder, ju ka bërë nder”, u shpreh Topi në News24, duke theksuar se mediat që trajtojnë çështje me interes publik mund të bëhen objekt sulmesh pikërisht për shkak të rolit të tyre në denoncimin e problematikave.
“Ju ka bërë nder, ju ka bërë nder. Ka shumë metafora rreth komunikimit se kush sulmohet. Sulmohet ai që ka vlerë, ai që ka një rol të rëndësishëm publik, Ai personalisht mund të ketë problemet e veta në ndërgjegjen e tij. Ju nuk keni asgjë më shumë se kaq. Ju keni paraqitur çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e ligjit dhe mënyrën se si njerëzit dhe bizneset trajtohen në mënyrë të diferencuar. Këtë keni bërë”,- tha ish-Presidenti.
Topi u ndal edhe te protestat që kanë vijuar prej 137 ditësh, duke përdorur metaforën e futbollit për të përshkruar raportin mes protestuesve dhe kryeministrit Edi Rama.
“Për 137 ditë, protestuesit paqësorë i treguan kryeministrit kartonin e verdhë, si në lojën e futbollit. Ai jo vetëm që nuk reflektoi pas kartonit të verdhë, por e shtoi edhe më shumë fajin e tij. Njerëzit i treguan kartonin e kuq. Dhe në momentin që arbitri të tregon kartonin e kuq, nuk të lejohet më të komunikosh me arbitrin”, u shpreh Bamir Topi.