E Martë, 3 Nëntor 2026

Sulmi iranian ndaj Izraelit, Begaj: Çdo përshkallëzim ka efekte të pakthyeshme në sigurinë e Lindjes së Mesme

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Begaj shton se çdo përshkallëzim i konfliktit do të ketë efekte të pakthyeshme në sigurinë e Lindjes së Mesme.

Përmes një postimi në platformën X, presidenti Begaj shpreson që të mos ketë përshkallëzim të mëtejshme të këtij konflikti.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të Iranit ndaj Izraelit dhe shpreh shpresën se nuk do të ketë përshkallëzim të mëtejshëm. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë”, shkruan Begaj.

Më herët edhe Ministri i Jashtëm, Igli Hasani dënoi sulmin suke  thënë se ky sulm cenon sigurinë në rajon dhe shkakton paqëndrueshmëri në të gjithë Lindjen e Mesme.

Irani nisi më shumë se 300 dronë dhe raketa në drejtim të Izraelit mbrëmjen e 13 prillit si reagim pas sulmit të konsullatës së saj në Damask nga Izraeli. Dronët e Iranit u shkatërruan thuajse të gjitha në ajër nga Izraeli se bashku me aleatët e tij.

Izraeli dhe Irani kanë pasur gjithnjë përplasje në distancë, por ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i njërit në tokën e tjetrit. Vetëm Irani tha se sulmi i tij ndërpritej me dronët e dërguar, por shtoi se do të kishte reagim reciprok nëse Izraeli vendoste të sulmonte.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›