E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmi në veri, Krasniqi: Sulm mbi demokracinë dhe qytetarët e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dënuar ashpër sulmet ndaj paqeruajtësve të forcave të KFOR-it nga ana e strukturave paralele serbe.

“Çdo sulm mbi pjesëtarët e KFOR-it, është sulm mbi demokracinë, mbi lirinë dhe prespektiven e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në deklaratën me shkrim të Krasniqit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve për qetësi e vetëpërmbajtje dhe respektim të rendit dhe ligjit.

“Operacioni i KFOR-it për të liruar rrugët nga barrikadat e vendosura nga strukturat e jashtëligjshme është në funksion të lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie”, ka thënë Krasniqi, duke u uruar ushtarëve të plagosur të KFOR-it shërim sa më të shpejtë.

Ndërkaq edhe Këshilli Kombëtar serb i Sigurisë ka konstatuar gjatë ditës së sotme, në një seancë të jashtëzakonshme, se “siguria e qytetarëve në Kosovë është seriozisht e kërcënuar”.


Ky Këshill ka ftuar misionet ndërkombëtare, UNMIK-un, KFOR-in dhe EULEX-in, që në kuadër të mandateve që kanë, të parandalojnë veprimet e “autoriteteve të përkohshme në Prishtinë, për të nxitur jostabilitet dhe frikë te komuniteti serb dhe të përmbahen nga përdorimi i forcës kundër qytetarëve të pambrojtur”, thuhet në deklaratën e këtij Këshilli.

Mbledhjen e sotme të Këshillit e ka kryesuar presidenti serb, Tomisllav Nikolliç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›