E Martë, 3 Nëntor 2026

Sulmi në veri të Kosovës, Vuçiq: Në ditët në vijim do vendosim si do mbrojmë njerëzit tanë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq (Aleksandar Vucic), ka dalë një konferencë për shtyp ku ka folur në lidhje me ngjarjen e ndodhur në veri të Kosovës, ku grupe të armatosura serbe sulmuan Policinë e Kosovës, duke i marrë jetën një efektivi dhe duke plagosur disa të tjerë.

Vuçiq u shpreh se në ditët në vijim qeveria serbe do të përcaktojë se në çfarë mënyre do të kërkojnë që të mbrojnë, sipas tij, qytetarët serbë në Kosovë.

 “Gjithë ditën kemi analizuar gjithçka dhe, siç e shihni, sonte nuk arritëm dot në një përfundim. Ne do t’i informojmë qytetarët për vendimet se si dhe në çfarë mënyre do të kërkojmë apo mbrojmë njerëzit tanë në ditët në vijim”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp në Beograd.

I pyetur se ku i kishin marrë uniformat dhe armët pjesëtarët e grupit që sulmuan Policinë e Kosovës, Vuçiq tha se ato nuk ishin uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë dhe se mund të jenë blerë kudo.

Ai akuzoi forcat speciale të Kosovës për “sjellje monstruoze”, gjatë aksionit në fshatin Banjskë.

“Ne ndoqëm atë që bëri policia shqiptare për një person. Kemi audio incizime të policëve shqiptarë që qeshin dhe thonë se nuk kemi pse ta ndihmojmë, le të vdesë”, tha Vuçiq.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe armatosur, ku për pasojë humbi jetën polici Afrim Bunjaku dhe disa të tjerë u plagosën. Sipas autoriteteve të Kosovës, 4 sulmues humbën jetën, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Beogradin zyrtar si organizatorë të sulmit, ndërsa Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›