Viti i ri akademik në Gjirokastër/ Përgatitjet e fundit për të mirëpritur studentët në konvikte

Në Gjirokastër po zhvillohen përgatitjet e fundit në konvikte për të mirëpritur studentët për vitin e ri akademik 2023-2024 që do të fillojë në datën 2 tetor.
Në të dy konviktet janë marrë masat për plotësimin e kushteve akomoduese, por falë rikonstruksionit të kryer së fundi godina nr 2 ofron ambiente më bashkëkohore.
Drejtori i shoqërisë së trajtimit studentor, Iljaz Memushaj u bën thirrje të rinjve të zgjedhin konviktet ndërsa çmimet e qirave të banesave kanë shënuar një trend rritje.
“Ne si ndërmarrje po marrim masat e duhura për të mirëpirtur studentët që do vijnë. Ofrojmë kushte shumë të mira duke u bazuar në tre gjera kryesore: qetësi, siguri dhe pastërti”, tha Memushaj.
Mbi kushtet akomoduese por edhe sigurisë që ofrojnë dy konviktet në Gjirokastër shprehen edhe studentet e universitetit “Eqrem Cabej” që prej vitesh kanë bërë këtë zgjedhje.
Dy konviktet në Gjirokastër ofrojnë një kapacitet akomodues prej 400 shtretër, ndërsa numri i studentëve që regjistrohen në to shkon rreth 200.
/rtsh/