E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmi ukrainas që vrau dhjetëra ushtarë rusë shkakton zemërim në Moskë, kërkohet ndëshkimi i komandantëve

Lajmi se dhjetëra ushtarë rusë u vranë në një nga sulmet ajrore më vdekjeprurëse të Ukrainës, pak pas mesnatës së Vitit të Ri, ka shkaktuar zemërim në Rusi, në rajonin Makivka dhe në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore.

Në një pranim të rrallë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se 63 ushtarë u vranë në në një shpërthim që shkatërroi një kazermë të përkohshme në një kolegj profesional në Makivka. Nga ana e tyre, zyrtarët ukrainas pohuan se numri i të vdekurve nga sulmi ishte në qindra, por zyrtarët pro-rusë i karakterizuan këto pretendime si të ekzagjeruara.

Kritikët rusë thanë se ushtarët ishin vendosur pranë një depoje municioni në zonë, për të cilën Ministria e Mbrojtjes ruse tha se ishte goditur nga katër raketa të lëshuara nga HIMARS. Nacionalistët rusë dhe disa ligjvënës kërkuan që komandantët, të cilët ata i akuzuan për shpërfillje të rreziqeve, të ndëshkohen.

Igor Girkin, një ish-komandant i trupave pro-ruse në Ukrainën lindore, tha se qindra u vranë ose u plagosën. Sipas tij, në vendngjarje ishte ruajtur municioni dhe pajisjet ushtarake nuk ishin të kamufluara.

“Kush mendoi të vendosë një numër të madh personeli në një ndërtesë ku edhe një budalla e kupton se edhe nëse godasin me artileri do të ketë shumë të plagosur apo të vdekur?”, tha ai./ CNN.gr

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›