E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sulmohet me granatë objekti i komunës në Zveçan

PRISHTINË, 29 nëntor /ATSH/ Objekti komunal në Zveçan është sulmuar me granatë mbrëmë pak para mesnatës, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

Përveç disa dritareve të thyera në objektin e komunës, janë dëmtuar edhe tri vetura që kanë qenë të parkuara në afërsi, dy prej të cilave me targa të Serbisë dhe një me targa vendore, njofton KosovaPress.

Për nder të 28 Nëntorit, dje në Zveçan – në pjesën veriore e Kosovës, për herë të parë është mbajtur seanca solemne e Kuvendit Komunal. Ndërsa nuk dihet nëse sulmi ndërlidhet me mbajtjen e kësaj seance solemne.

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë para mesnate ka pas një shpërthim në Zveçan që dyshohet se ka qenë granate dore e llojit M-75.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani tha për KosovaPress se sulmi ka shkaktuar dëme materiale.

“E njëjta ka shkaktuar dëme materiale në ndërtesën e Komunës së Zveçanit e poashtu edhe në 4 vetura që kanë qenë të parkuara aty afër. Nuk ka të lënduar apo të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani.

Policia, sipas tij, mbetet e përkushtuar që të vazhdojë të ofrojë shërbimet ndaj qytetarëve të veriut të vendit.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›