E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulmohet revista franceze Charlie Hebdo, që saterizoj Muhamedin

Ironizimi me figurën e profetit Muhamed, ka bërë që selia në Paris e revistës satirike franceze, “Charlie Hebdo”, të shkatërrohej tërësisht nga një zjarr i shpërthyer mesnatën e shkuar, për shkak të hedhjes së një bombe Molotov.

Atentati me bombë ndodhi pak orë para se të publikohej numri më i ri i revistës, i cili i kushtohej Pranverës arabe.

E pagëzuar me këtë rast “Sharia Hebdo”, edicioni special i revistës publikonte në kopertinë foton e profetit Muhamed, i cili premtonte “100 të rrahura, nëse nuk vdes nga të qeshurat”.

Kjo ka provokuar indinjatën e besimtarëve fanatikë islamë, të cilët ndërmorën sulmin me bombë.

Policia franceze bën me dije se situata është nën kontroll dhe se zjarri nuk ka shkaktuar asnjë viktimë.

Bomba Molotov është hedhur nga dritarja dhe ka përfshirë në flakë të gjithë kompjuterët e redaksisë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Drejtori i revistës, i njohur me nofkën Charb, është i sigurt se atentati lidhet me publikimin e këtij numri të posaçëm.

“Kishim marrë porosi kërcënuese, përmes Facebook dhe Twitter”, shpjegoi ai.

Revista “Charlie Hebdo” do të dilte me një numër festiv sa i përket fitores së partisë islamike në zgjedhjet në Tunizi, si dhe për vendimin e qeverisë së re libiane për të adoptuar ligjin islamik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›