E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sunday Times”: Phil Collins rrëfen dramën e jetës: Mjekët nuk ishin të sigurt nëse do të mbijetoja

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ – Legjenda e muzikës britanike, Phil Collins, ka bërë një nga rrëfimet më tronditëse të jetës së tij, duke zbuluar se ishte shumë pranë vdekjes pas një krize të rëndë shëndetësore të lidhur me varësinë nga alkooli.

Në një intervistë për “The Sunday Times”, 75-vjeçari tregoi se gjatë vitit 2024 u shtrua për shtatë muaj në një spital në Zvicër, pasi veshkat dhe organet e tjera nisën të mos funksiononin më.

“Veshkat e mia nuk po funksiononin më, ndërsa edhe organet e tjera po fillonin të dështonin. Njerëzit po vinin të më thoshin lamtumirë”, u shpreh Collins, duke shtuar se nuk mban mend asgjë nga ato momente, pasi ishte në gjendje kritike.

Sipas artistit, mjekët diskutuan edhe mundësinë e heqjes së aparaturave, që e mbanin në jetë, ndërsa menaxheri i tij kishte thirrur pesë fëmijët – Joely, Simon, Lily, Nicholas dhe Matthew – për t’i dhënë lamtumirën e fundit, nga frika se nuk do ta shihnin më gjallë.

Collins beson se konsumimi i tepërt i alkoolit, luajti një rol vendimtar në përkeqësimin e gjendjes së tij.

Ai pranoi se pinte gjatë ditës dhe se me kalimin e viteve kjo i shkaktoi dëmtime serioze në veshka.

Gjatë qëndrimit në spital ai u infektua edhe me COVID-19, gjë që e rëndoi më tej situatën.

Këngëtari dhe ish-lideri i grupit “Genesis” ka vuajtur prej vitesh edhe nga probleme të tjera shëndetësore, përfshirë dëmtime të shtyllës kurrizore, pesë ndërhyrje në gju dhe diabet të tipit 2, të cilat i kufizuan ndjeshëm lëvizjet dhe e detyruan t’i japë fund turneve muzikore.

Aktualisht, për të kujdeset një infermiere 24 orë në ditë.

Sot, Collins thotë se ndihet me fat që i mbijetoi kësaj sprove dhe se ka qëndruar larg alkoolit, që prej asaj krize shëndetësore.

Edhe pse gjendja fizike mbetet e brishtë, ai nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen t’i rikthehet studios, për të përfunduar projektet muzikore të lëna përgjysmë.

Nga “Genesis” te suksesi solo: Rrugëtimi i Phil Collins drejt famës globale

Phil Collins është një nga figurat më të njohura të muzikës britanike, me një karrierë që shtrihet mbi pesë dekada si këngëtar, baterist, kompozitor dhe producent.

Ai u bë i famshëm në vitet ’70 si baterist dhe më pas si këngëtari kryesor i grupit legjendar britanik “Genesis”, pas largimit të Peter Gabriel.

Me zërin karakteristik dhe stilin e tij të veçantë në bateri, Collins ndihmoi në transformimin e “Genesis” nga një grup progresiv “rock” në një nga grupet më të suksesshme të skenës botërore.

Në të njëjtën kohë, ai ndërtoi një karrierë jashtëzakonisht të suksesshme solo.

Albumi i tij i parë, “Face Value” (1981), solli hitin botëror “In the Air Tonight”, një nga këngët më të njohura të karrierës së tij.

Më pas ai publikoi albume të suksesshme si “No Jacket Required” (1985) dhe “…But Seriously” (1989), duke krijuar hite si “Another Day in Paradise”, “One More Night” dhe “Against All Odds”.

Gjatë viteve ’80 dhe ’90, Collins ishte një nga artistët më të dëgjuar në botë.

Ai ka shitur mbi 100 milionë disqe si artist solo dhe mbi 100 milionë të tjera me “Genesis”, duke u bërë një nga muzikantët më të suksesshëm të të gjitha kohërave.

Përveç muzikës “pop” dhe “rock”, ai ka kontribuar edhe në filma dhe projekte të tjera artistike.

Ai fitoi çmime të rëndësishme, përfshirë shtatë çmime “Grammy”, dhe është nderuar për ndikimin e tij në muzikën moderne.

Në vitet e fundit, karriera e tij u kufizua nga probleme serioze shëndetësore, përfshirë dëmtime të shtyllës kurrizore dhe vështirësi në lëvizje, që e detyruan të reduktojë performancat live.

Megjithatë, Phil Collins mbetet një nga artistët më me ndikim të brezit të tij, i njohur për baladat emocionale, tekstet personale dhe kontributin e madh në historinë e muzikës botërore. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›