E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sundimi i ligjit, bazë për Kosovën në BE

Kryeministri Hashim Thaçi priti ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Alexander Stubb. Në takim është biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mesë të Finlandës dhe Kosovës dhe për zhvillimet politike në rajon.

Kryeministri Thaçi ka informuar ministrin finlandez për rrjedhën e zhvillimeve në Kosovë si dhe për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar një shtet demokratik, multietnik dhe mbi bazë të sundimit të ligjit.

“Perspektiva e gjithë rajonit është integrimi në NATO dhe BE”, tha Thaçi, duke theksuar se kjo është edhe prioritet numër një i institucioneve të Kosovës.

Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale në mes të Kosovës dhe Finlandës. Këto raporte do të vazhdojnë që të forcohen edhe më tepër me binjakëzimin e komunave të Kosovës me qytete të ndryshme të Finlandës dhe me këmbim përvojash dhe vizitash të ndërsjella zyrtare.

Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Alenxander Stubb ka vlerësuar se Kosova paraqet një vend të veçanet për Finlandën, edhe për shkakun se ndërmjetësi për zgjidhjen e statusit të Kosovës ishte ish-presidenti finlandez Marti Ahtisaarit.

Ai ka përmendur edhe faktin se në Finlandë, aktualisht, gjenden 5 mijë shqiptarë të Kosovës që do të vazhdojnë të jenë urë lidhjeje dhe miqësie ndërmjet të dy vendeve.

“Kosova duhet të vazhdojë angazhimin në procesin e integrimeve evropiane. Një ditë dua ta shoh Kosovën në Bashkimin Evropian. Sundimi i ligjit është bazë për këtë”, është shprehur ministri finlandez Alexander Stubb.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›