E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyseni: Me integrim kalohen mosmarrëveshjet në rajon

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skender Hyseni, thotë se çfarëdo vonese e integrimit të Kosovës në familjen e madhe evropiane do të ishte gabim fundamental.

Ai i bëri këto komente gjatë një ligjëratë në Shkollën për Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit të njohur “Johns Hopkins” në Washington, D.C., në temën “Kosova dy vjet pas pavarësisë: Zhvillimi politik, ekonomik dhe i sigurisë”.

“Qëllimi madhor përpara nesh është integrimi në BE dhe NATO, që njëherësh është mënyra më e mirë për të lëvizur përpara dhe për të zgjidhur, e lënë mbrapa, të gjitha mosmarrëveshjet dhe problemet që ekzistojnë midis shteteve të rajonit”, ka thënë Hyseni, para një numri diplomatësh, studentësh dhe studiuesish të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ai ka ripërsëritur nevojën për integrimin në BE të shtatë shteteve të Ballkanit Perëndimor, pak a shumë, në të njëjtën periudhë kohore.

Tutje, ai ka thënë se Kosova është plotësisht e gatshme të marrë përgjegjësitë e anëtarësimit në institucionet ndërkombëtare, përfshirë këtu Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për çka Kosova është thellësisht e përkushtuar dhe këtë është duke e dëshmuar në praktikë. Një shembull i këtij përkushtimi është miratimi së voni në parim i projektligjit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, të vendosura nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Sikur transmeton Zyra për Informim e MPJ-së, nëpërmes një komunikate për shtyp, ministri Hyseni në ligjëratën e tij ka folur për të gjitha aspektet relevante të cilat e kanë karakterizuar Kosovën në periudhën pas pavarësisë. Fillimisht, ai ka rikujtuar periudhën e negociatave, angazhimin aktiv dhe në mirëbesim të delegacionit të Kosovës, shterimin e të gjitha mjeteve diplomatike dhe të drejtën dhe nevojën për të lëvizur në drejtim të pavarësisë.

Duke folur për zhvillimet në planin e brendshëm, Hyseni ka përmendur miratimin e kushtetutës, një dokument themeltar modern, që garanton të drejtat e të gjithëve dhe përmban garanci të veçanta për komunitetet joshumicë, për të arriturat e prekshme në fushën e mbrojtjes në praktikë të këtyre të drejtave, për procesin e decentralizimit dhe për zgjedhjet e nëntorit, që nga misione të ndryshme vëzhguese janë cilësuar si të lira, të drejta dhe demokratike. Gjithashtu, ai ka thënë se është duke u punuar shumë, bashkë dhe me Misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, në vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri të Kosovës, përkundër ndërhyrjeve të vazhdueshme destabilizuese të Serbisë.

Në ligjëratën e tij, ministri Hyseni ka folur edhe për krijimin dhe ekzistimin e kornizës së favorshme ligjore për investimet e huaja, rritjen e vazhdueshme ekonomike, përfundimin e plotë të procesit të anëtarësimit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore dhe hapjen e mbi 20 ambasadave dhe misioneve konsullore.

Në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, ministri Hyseni është përqendruar veçanërisht te procesi i njohjeve, procesi këshillëdhënës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe anëtarësimi i Republikës së Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

Ministri Hyseni po qëndron në Washington, D.C., për të marrë pjesë në ngjarjen tradicionale të Lutjes së Mëngjesit, që kryesohet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai po ashtu do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues dhe zyrtarë të lartë, si të Shteteve të Bashkuara, ashtu dhe të shteteve të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›