Superaksioni Lindja e Diellit, kapen 600 rrënjë kanabis në Lazarat

Lazarat, (Gjirokastër), 21 gusht, NOA Policia e Gjirokastrës ka kryer orët e para të mëngjesit të sotëm një prej operacioneve më të suksesshme të kohëve të fundit për eliminimin e lëndëve narkotike në fshatin Lazarat.
Vetëm në një prej lagjeve të këtij fshati, forcat
e policisë kanë arritur të sekuestrojnë rreth 600 rrënjë bimë Canabis Sativa.
Gjithashtu policia ka arrestuar një person, Bersand Rabaj, 24 vjeç, i cili ka qenë kultivuesi i drogës, si dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.Sipas policisë droga prej 600 rrënjësh ka qenë
në tre parcela, secila në mirëmbajtje nga një person.
Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e parcelave ku ka rezultuar se çdo parcele kishte nga 200 rrënjë bimë narkotike, gjithsej 600 rrënjë bimë Canabis Sativa, të cilat janë shkatërruar dhe asgjesuar nga ana e policisë, ku një sasi është marrë në cilësinë e provës materiale, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, parcelat me drogë janë vënë re gjatë kontrollit të vazhdueshëm që i është bërë territorit të Qarkut Gjirokastër dhe në veçanti zonës së Lazaratit.
Në fshatin Lazarat, në lagjen e re, në afërsi të vendit të quajtur Bregu i Spilos, janë konstatuar tre parcela të kultivuara me bimë narkotike Canabis Sattiva, të cilat janë mbajtur nën vëzhgimin e vazhdueshëm nga ana e Specialistëve dhe Agjentëve të Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtoirinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër me qëllim identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, thuhet në njoftimin e policisë.
Operacioni i policisë është zhvilluar sot rreth orës 05.00 të mëngjesit.
Pas arestimit të Rabajet, dy autorët e tjerë kanë mundur të largohen me shpejtësi me një automjet i cili është identifikuar nga policia.
Për këta shtetas nga ana e Policisë është bërë shpallja në kërkim policor ku për arsye hetimi identiteti i tyre nuk bëhet i ditur, njofton policia.
a.k/NOA