Superiore, Skënderbeu e Tirana ndajnë nga një pikë

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Skënderbeu dhe Tirana kanë ndarë pikët në një ndeshje mjaft dramatike në Korçë, në një stadium të mbushur ku nuk ka munguar entuziazmi por edhe momentet e tensionit mes tifozerive, ndeshje kjo e vlefshme për Javën e 4-t të kategorisë Abissnet Superiore.
Sfida nisi më mirë për Tiranën që fitoi penallti, por e pa t’u kthehej më pas nga kryesori pas verifikimit me VAR të pamjeve. Megjithatë, bardheblutë nuk vonuan të gjenin golin e parë me Ndong në minutën e 18-të.
Skënderbeu u zgjua me kalimin e minutave dhe sulmoi sidomos në pjesën e dytë, duke kërkuar barazimin të cilin më në fund e gjeti me Baba Musa në minutën e 73-të.
Më pas, një karton i kuq i Kollej, la Tiranën me 10 lojtarë dhe në fund ishte Skënderbeu që kërkoi golin e dytë, por pa sukses, duke bërë që sfida të mbyllej me shifrat 1-1.
E shtuna do të mirëpresë dy sfida të tjera të kësaj jave. Partizani do të përballet me Dinamo City-n në stadiumin “Vora”, me ndeshjen që është planifikuar të nisë në ora 16:00 ndërsa Teuta do të presë Vorën në shtëpi, teksa takimi do të luhet në ora 18:30.
Laçi do të presë Vllazninë në shtëpi të dielën në ora 16:30, ndërsa AF Elbasani – Egnatia do të ulë siparin e javës së katërt, me takimin që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” në orën 18:30.