E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga- Java e 28-te Vllaznia fiton ndaj Lacit

Zakonisht është e treta që quhet si e vërteta, por në këtë rast është arritur tek numri 5 dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Vllaznia fitoi sërish ndaj Laçit, këtë herë 3-1 brenda në Kurbin, në javën e 28-të të Superligës dhe kjo fitore e ndihmoi që të forconte pozitat në vendin e tretë në renditje, duke u konfirmuar deri tani si forca më e madhe e kampionatit, pas Skënderbeut dhe Flamurtarit.
Miqtë e luajtën më mirë pjesën e parë, në të cilën në të vërtetë nuk ndodhi shumë. Tifozët vendas kishin ardhur në stadium edhe me flamurin kombëtar, përveç parullave mbështetëse për skuadrën e tyre dhe Hysa u përpoq t’i gëzonte menjëherë, por Vujadinoviç u tregua më i shpejtë.

Në fushë pati edhe lojë të ashpër, siç ishte ky moment i Nallbanit, por ashpërsia nuk ishte e shpeshtë dhe në një periudhë kohe kur nuk po ndodhte thuajse asgjë më shumë tërhoqi vëmendjen rënia e flamurit nga shtiza e gjyqtarit anësor, një xhonglim me topin i trajnerit vendas, Stavri Nica përtej vijës anësore, por edhe një top që humbi pas reklamave dhe të cilin u përpoqën shumë që ta gjenin disa prej lojtarëve të skuadrës kurbinase.

Vioresin Sinani pati në këmbë rastin më të mirë për të shënuar në këtë pjesë, por e humbi duke gjuajtur paksa mbi tra ndërsa depërtoi djathtas në zonë. Vendasit nuk krijuan shumë dhe momenti kur tërhoqën më shumë vëmendjen ishte kur Kaja goditi pa dashur shokun e tij, Vidakoviç, pas një roveshate pa kujdes.

Pjesa e dytë nisi me ortek laçian. Shazivari humbi një rast të pastër që në minutën e katërt të kësaj pjese, duke shkuar kot një aksion të bukur të shokëve të tij. Më pas, në minutën e 53-të, Laçi rrezikoi me një roveshatë pas një gabimi të portierit malazez, Vujadinoviç, por topi përfundoi mbi tra. Epërsia vendase vazhdoi me një aksion të gjatë në të dy krahët e sulmit, fillimisht djathtas e pastaj majtas, por pa gjetur momentin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë.

Goli u duk se erdhi në 62’ kur Kastrati gjuajti nga larg dhe Vujadinoviç grushtoi, ndërsa nga afër, lojtari vendas nuk arriti të koordinohej mirë për të realizuar.

Vllaznia u zgjua dhe Vajushi iu afrua edhe ai golit, pas aksioneve në zonë paksa i zhvendosur nga e djathta, veçse goli erdhi menjëherë pas kësaj në portën e kundërt. Sërish Vujadinoviç grushtoi keq një top në zonë dhe aty Hysa shtatshkurtër u ndodh në vendin e duhur për të shënuar me kokë. Epërsi e merituar laçiane, por që nuk e pati jetën të gjatë. Pas një goditjeje nga këndi, veterani Sinani u ndodh në pozicion të favorshëm në zonë dhe gjuajti shpejt me të majtën duke barazuar. Nuk kishin kaluar as 2 minuta nga avantazhi vendas. Vllaznia nuk humbi kohë dhe në 74’, Gocaj i shpëtoi pozicionit jashtë loje për të shënuar golin e dytë shkodran. Laçi u përpoq për të barazuar dhe nuk mund të thuhet se nuk iu afrua rezultatit 2-2, por goli mbeti pronë kuqeblu. Në një kundërsulm të shpejtë, me 3 pasime, Shtupina u ndodh i vetëm në zonë dhe realizoi për të tretën herë. Duket se Vllaznia i është rikthyer momentit pozitiv në kampionat, moment që mund ta çojë në Europë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›