E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga Kastrioti-Bylis 2-1

I duhej fitorja dhe nuk e bëri të gjatë, e arriti atë ndonëse në mënyrë të mundimshme. Kastrioti la prapa dy humbje radhazi me kryesuesit Skënderbeu e Flamurtari për të fituar atë ndeshje që kishte më shumë rëndësi, pikërisht ndaj rivalit direkt për qendrim në kategori, Bylisit nga Ballshi.

Sulmuesi Inkango realizoi atë që kishte premtuar që para ndeshjes, pra golin, duke i dhënë avantazhin 1-0 skuadrës së Ndreut, avantazh që gëzoi pa masë tifozët e pranishëm në stadiumin e Krujës, por që u shënua vetëm falë veprimit të bukur nga e majta të kroatit Robert Alvizh.

Miqtë protestuan gjatë dhe fort, duke pretenduar se topi i gjuajtur me kokë nga Inkango nuk e kishte kaluar vijën fatale, por për gjyqtarin e ndeshjes dhe për ndihmësin e tij, goli duhej akorduar dhe ashtu u bë. Kjo ndodhi në minutën e 17-të, por ballshiotët nuk u dhanë dhe përpjekjet e tyre sollën rezultat. Në minutën e 37-të, një aksion nga e majta solli një asist për Oriand Abazajn në zonë dhe sulmuesi u tregua më i shpejtë se mbrojtësit për të realizuar golin e barazimit.

Pamjet e ngadalësuara të përsëritjes lenë një hije dyshimi lidhur me pozicionin e Abazajt në momentit që iu shërbye topi, por edhe ky gol vlejti dhe 1-1 u mbyll pjesa e parë.

Pjesa e dytë pati mjaft përpjekje, por gjithçka u përmblodh tek goli i dytë i Kastriotit, shënuar nga Rigers Hoxha, një gol me vlerën e 3-pikëve dhe një rezultat 2-1 që nuk ndryshoi deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Një sukses me rezultat të ngushtë ky i krutanëve, vetëm 2-1, por gjithsesi kaq mjafton për t’u ngjitur në vendin e 8-të me 33 pikë, në prag të një ndeshje të skëterrshme që do të luhet mesjavën e ardhshme në Kavajë, ndaj Besës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›