Superliga, Laçi mposht Teutën, durrsakët në krizë të plotë

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/ Laçi mposhti 3-0 Teutën ditën e sotme.
Falë një goli të Paulo Zhunior dhe dy të tjerëve të shënuar nga Uilliam Kordeiro, Laçi e shikon veten në pozita gjithmonë edhe më të mira në “Abissnet Superiore” ku pas 25 takimesh ka grumbulluar plot 30 pikë.
Në Kurbin ndeshja e sotme nuk kishte histori jo vetëm për faktin se vendasit bënë gjithçka mirë për të marrë tri pikët, por edhe për “fajin” e Teutës, e cila kishte përgatitur keq këtë transfertë delikate.
Largimi i Edi Martinit nuk ka shkundur ekipin durrsak, i cili ende nuk ka shijuar ndjesinë e fitores në kampionat në 2025-ën.
/a.f/